Me rastin e vazhdimit të projektit “Instituti Limak për Shërbime të Aeroportit”, është nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Limak Kosovo International Airport JSC dhe Universitetit të Prishtinës ku gjeneratës së këtij vitit në UP, më saktësisht 30 studentëve do iu mundësohet puna praktike në këtë Aeroport, raporton Ekonomia Online.
Rektori i Universiteti të Prishtinës, Marjan Dema, tha se studentët e UP-së përveç punës praktike që do kryejnë në Aeroport do të kenë mundësi të marrin eksperienca edhe në shërbime.
“Kompania LIMAK në angazhimin e saj në kryerjen e përgjegjësisë ndaj komunitetit çdo herë është mik i UP-së sepse janë disa vite me radhë që kemi bashkëpunim dhe që ka benefite në shumë sfera. Studentët tanë jo vetëm që e kryejnë punën praktike, por ata marrin eksperienca për shërbime në Aeroport dhe një pjesë e madhe gjejnë edhe vende të punës. Na ndihmojnë që edhe ne ta zbatojmë planin strategjik që studentëve tanë iu ofrojnë edhe punë praktike. Uroj që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje dhe jam i bindur që kompania t’i ketë pjesë të vetën studentët tanë”, tha Dema.
Zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara, tha se deri tani Limak ka punësuar 120 studentë nga UP-ja.
“Ne do vazhdojmë që gjithmonë të kemi projekte të tilla në beneficion të shoqërisë kosovare. Besojmë që edhe më tutje do kemi bashkëpunime të tilla me UP-në. Secila gjeneratë i ka pasë 30 studentë, deri më tani janë punësuar 120 studentë. Edhe kjo gjeneratë do ketë 30 studentë dhe besoj që do kenë edhe mundësi punësi në këtë Aeroport”, tha Gara, raporton EO.