Qyteti i Ferizajt është tronditur nga vrasja që ndodhi mesditën e së mërkurën në qendër të këtij qyteti, raporton Ekonomia Online.
Rreth orës 12:30 minuta tek rrethi i rrugës “Rexhep Bislimi” është vrarë një i ri i moshës 25-vjeçare M. Aliu.
I dyshuari për vrasjen në Ferizaj, është Sh. Rexha, i cili thuhet se është i moshës së mitur, 17-vjeçar. Dorasi është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale në Ferizaj, Agim Gashi, konfirmoi se ngjarja ka ndodhur në udhëkryqin e rrugëve “Rexhep Bislimi” dhe “Ahmet Kaçiku”.
“Menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes edhe ekipi mjekësor ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë nga përdorimi i armës së zjarrit. Jemi duke bërë shikimin e vendit të ngjarjes”, ka thënë Gashi.
Mjeku i Ekipit të Emergjencës në Ferizaj, Naim Çerkini, tha se në momentin kur ekipi mjekësor ka arritur në vendin e ngjarjes, viktima ishte tashmë pa shenja jeta.
“Në momentin që jemi njoftuar ekipi ka qenë në terren mirëpo mundem me thënë se 3-4 minuta jemi vonuar, kur kemi qenë në vendngjarje pacienti pa shenja jete, plaga ishte e tillë që nuk ka premtu diçka për intervenim më shumë. Parametrat vitalë kanë munguar në momentin kur kemi arritur”, ka shtuar Çerkini.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se motivet e vrasjes ende nuk janë të ditura, por i dyshuari është arrestuar dhe gjendet në stacionin rajonal të Ferizajt, bashkë me shokun e viktimës i cili ishte bashkë me viktimën në momentin kritik dhe do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit.
“Sot rreth orës 12:30 rruga “Ahmet Kaçiku” tek rrethi ka ndodhur një vrasje e rëndë ku motivet për momentin nuk janë të njohura, viktima është personi i gjinisë mashkullore mosha 25 vjeç me iniciale M.A, kurse i dyshuari gjithashtu gjinia mashkullore me iniciale SH.R. Motivet e vrasjes për momentin nuk janë të njohura, personi i dyshimtë është larguar nga vendi i ngjarjes mirëpo tani është arrestuar dhe u shoqërua në stacionin policor në Ferizaj. Viktima ka qenë i shoqëruar me nga një person, shoku i tij dhe ai është shoqëruar në stacionin policor në cilësinë e dëshmitarit i cili do të intervistohet nga hetuesit rajonalë”, tha Jashari.
Por burime të tjera kanë thënë se vrasja dyshohet se është kryer për motive hakmarrjeje.
Gjykata në Ferizaj në vitin 2017 kishte shpallur fajtor Meriton Aliun (vëllain e tashmë të ndjerit, Mentorit) për vrasjen e 20-vjeçarit Samir Rexha.
Aliu është dënuar me 15 vjet burgim për vrasjen që kishte ndodhur në gusht të vitit 2016.