Kandidati demokrat presidencial Joe Biden kritikoi të enjten atë që ai e quajti përgjigjen e nxitur nga “paniku” të Presidentit Donald Trump ndaj pandemisë së koronavirusit, ndërsa Trump mbrojti menaxhimin nga ana e tij të një krize që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 217,000 amerikanëve.
Dy rivalët folën në dy takime të ndryshme me pyetje-përgjigje nga votuesit, që u mbajtën dhe u transmetuan njëkohësisht në rrjete të veçanta televizive, pasi një debat i planifikuar fillimisht për të enjten u anulua ndërpre pasi Trump kontraktoi COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi.
Debati në distancë, ishte një kujtesë e zymtë për mënyrën se si është transformuar sezoni i fushatës nga një pandemi që ka nxitur më shumë se 18 milion njerëz të hedhin votat më shumë se dy javë para ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor.
Ish-nënpresidenti Biden, duke folur para votuesve në Filadelfia në televizionin ABC, fajësoi presidentin republikan se e kishte mbajtur të fshtehtë se sa vdekjeprurës ishte virusi që ka infektuar gati 8 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara.
“Ai tha se nuk i tregoi askujt sepse kishte frikë se amerikanët do t’i kapte paniku,” tha Biden. “Amerikanët nuk përfshihen nga paniku. Ai u kap nga paniku.”
Aktiviteti në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti Trump mbrojti si reagimin e tij ndaj pandemisë, ashtu edhe sjelljen e tij personale, përfshirë skenën e një aktiviteti në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, ku vetëm pak vetë mbanin maska ose praktikonin distancimin fizik, gjë që rezultoi në infektimin e shumë vetëve.
“Unë jam president – duhet të takohem me njerëz, nuk mund të rri në bodrum,” tha Trump në televizionin NBC para një auditori të hapur votuesish në Majami, duke kritikuar në mënyrë të tërthortë Biden që për disa muaj nuk bëri fushatë për shkak të pandemisë.
Presidenti Trump nuk iu përgjigj pyetjeve se kur ishte hera e fundit që kishte rezultuar negativ para se të merrte virusin, duke thënë se nuk e kujtonte me saktësi.
Trump, i cili ndërpreu në mënyrë agresive Biden gjatë një debati kaotik dy javë më parë, ruajti të njëjtin ton luftarak, duke u përplasur shpesh me moderatoren Savannah Guthrie.
Ai tha se kishte “dëgjuar variante të ndryshme” rreth efikasitetit të maskave, edhe pse ekspertët e shëndetit publik të administratës së tij kanë thënë që mbajtja e tyre është thelbësore për të ndaluar përhapjen e virusit.
Presidenti nuk pranoi të denonconte QAnon, teoria e rreme e konspiracionit sipas së cilës demokratët janë pjesë e një rrjeti global pedofilie, duke lavdëruar së pari ata që e besojnë këtë teori se janë kundër pedofilisë, përpara se të thoshte se ai nuk dinte asgjë për lëvizjen.
Trump gjithashtu iu shmang pyetjeve në lidhje me një hetim të New York Times të dy dekadave të taksave të tij, të cilat ai ka refuzuar t’i lëshojë publikisht, megjithë për dekada me radhë presidentët e tjerë e kanë bërë një gjë të tillë.
Ai u duk se konfirmoi raportin e gazetës se ai ka rreth 400 milionë dollarë borxhe, duke argumentuar se kjo shuma nuk ishte “asgjë” krahasuar me pasurinë e tij. Ai gjithashtu nuk e mohoi artikullin e gazetës se kishte paguar vetëm 750 dollarë taksa federale për të ardhurat gjatë vitit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, megjithëse tha në një moment se shifrat e gazetës ishin “të gabuara”.
Një fluks i hershëm votimi
Debati i dytë presidencial ishte planifikuar fillimisht për të enjten mbrëma, por Trump u tërhoq pasi organizatorët vendosën ta ndryshonin formatin në një debat virtual pas diagnozës së tij me COVID-19 dy javë më parë. Një debat përfundimtar vazhdon të jetë i planifikuar ende për më 22 Tetor në Nashville, Tenesi.
Presidenti Trump, i cili kaloi tre ditë në një spital ushtarak por që atëherë është kthyer në fushatë, po përpiqet të ndryshojë dinamikën e garës. Sondazhet e Reuters / Ipsos tregojnë se ish-nënpresidenti Biden ka një epërsi të konsiderueshme kombëtare, megjithëse përparësia e tij në shtetet vendimtare, është më pak e theksuar.
Në Karolinën e Veriut, një shtet shumë konkurrues, pati radhë të gjata të enjten ndërsa filloi votimi i hershëm prej më shumë se dy javësh, pas një pjesëmarrjeje rekord në Xhorxha dhe Teksas gjatë javës.
Rreth 18.3 milion amerikanë kanë votuar ose personalisht ose me postë deri tani, që përbëjnë 12.9% të votave të përgjithshme të numëruara në zgjedhjet e përgjithshme 2016, sipas Projektit të Zgjedhjeve të Shteteve të Bashkuara në Universitetin e Floridas.
Votuesit po përpiqen të shmangin radhët në Ditën e Zgjedhjeve për t’u ruajtur nga koronavirusi ndërsa infeksionet dhe shtrimet në spital vazhdojnë të rriten, por edhe për t’u siguruar që fletët e tyre të votimit do të numërohen. Shumë janë të shqetësuar se presidenti Trump do të sfidojë fletëvotimet e përdorura gjerësisht me postë, pas pretendimeve të tij të përsëritura pa prova se ato do të manipulohen.
Beteja për Gjykatën e Lartë
Dy kandidatët ishin të kujdesshëm në përgjigjet lidhur me Seancat në Senat për konfirmimin e gjykatëses Amy Coney Barrett, kandidatja e Presidentit Trump për Gjykatën e Lartë. Republikanët duan që zonja Barrett të konfirimohet para zgjedhjeve, ndërsa kishin refuzuar ta bënin këtë për ish-kandidatin e ish Presidentit Demokrat Barack Obama në 2016, duke thënë se do të ishte e papërshtatshme në një vit zgjedhjesh.
Biden tha se ai nuk ishte “tifoz” i idesë së fryrjes së gjykatave, ideja e promovuar nga disa demokratë për të shtuar gjykatës për t’iu kundërpërgjigjur asaj që ata e konsiderojnë si një vend të vjedhur në gjykatë. Por ai nuk pranoi ta përjashtonte një mundësi të tillë pasi moderatori George Stephanopoulos këmbënguli, duke thënë: “Varet se si do të rrjedhin ngjarjet.”
Trump nuk pranoi të thoshte nëse do të donte që të shfuqizohej e drejta për abort, diçka që shumë studiues ligjorë besojnë se ka më shumë të ngjarë të ndodhë me konservatoren Barrett në gjykatë.
“Mendoj se ajo do të marrë një vendim të shkëlqyer,” tha ai. “Unë nuk i kam thënë se çfarë vendimi të marrë”.
1.5 miliardë dollarë
Në një tregues të vendosmërisë së demokratëve për të mposhtur PresidentinTrump, një fluks masiv fondesh është derdhur në arkën e partisë demokrate..
Organizata demokrate për mbledhjen e fondeve ActBlue tha të enjten se ka grumbulluar 1.5 miliardë dollarë online nga korriku deri në shtator, shuma më e madhe që kishte mbledhur ndonjëherë në një tremujor. Ndërsa platforma kryesore republikane për mbledhjen e fondeve WinRed tha të hënën se ajo kishte mbledhur 623.5 milion dollarë në të njëjtën periudhë.
Fushata e Biden mblodhi 383 milion dollarë në shtator, duke vendosur një rekord të ri për një fushatë amerikane për të dytin muaj radhazi. Fushata e Trump nuk i ka publikuar shifrat e saj mujore.
Të dy kandidatët po vizitojnë shtetet vendimtare këtë javë. Trump ka mbajtur tubime në Florida, Pensilvani dhe Ajova, ndërsa Biden po udhëton në Ohajo dhe Florida.