Presidenti i ShBA-së, Donald Trump ka deklaruar se Irani ka dështuar të mbajë premtimin për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke shkaktuar pasiguri dhe tensione globale.
Ai akuzoi Iranin për vendosje minash detare dhe për pengim të lëvizjes së lirë në këtë rrugë ujore ndërkombëtare.
Trump tha se SHBA-të janë informuar për bisedimet në Islamabad nga zyrtarë të lartë amerikanë dhe ndërmjetësuesit pakistanezë.
Sipas tij, takimi me përfaqësuesit iranianë ka zgjatur rreth 20 orë dhe ka prodhuar disa marrëveshje. Megjithatë, ai theksoi se çështja kryesore, programi bërthamor i Iranit, mbeti pa zgjidhje.
Trump deklaroi se Irani refuzon të heqë dorë nga ambiciet bërthamore, ndërsa përsëriti qëndrimin se Irani nuk do të lejohet të ketë armë bërthamore.
Presidenti amerikan njoftoi se Marina e SHBA-së do të nisë bllokadën e Ngushticës së Hormuzit. Sipas tij, çdo anije që hyn ose del nga kjo zonë do të ndalohet dhe kontrollohet.
Ai shtoi se do të ndërmerren masa ndaj anijeve që kanë paguar tarifa ndaj Iranit, ndërsa paralajmëroi se çdo sulm ndaj forcave amerikane ose anijeve civile do të përballet me përgjigje të ashpër.
Ai gjithashtu tha se do të nisë shkatërrimi i minave të vendosura në ngushticë. Trump theksoi se SHBA dhe aleatët e saj janë të gatshëm të përshkallëzojnë veprimet nëse situata nuk zgjidhet.