Trump në dorën e Senatit për dy akuza, i nënshtrohet procedurave të shkarkimit

Prishtinë | 19 Dhj 2019 | 16:30 | Nga Ekonomia Online

Donald Trump do të jetë presidenti i tretë në historinë e Amerikës që do i nënshtrohet procedurave të shkarkimit nga Kongresi.

Pas një debati prej gati 12 orësh, opozita demokrate miratoi të mërkurën me 229 vota pro dhe 198 kundër paditë kundër presidentit për abuzim me pushtetin dhe pengim të procedurave të Kongresit.

“Për shekuj me radhë, amerikanët kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën për të mbrojtur demokracinë për popullin, por për fat të keq tani vizioni i themeluesve tanë për republikën është në rrezik nga veprimet e Shtëpisë së Bardhë. Është tragjike që veprimet e pamatura të presidentit kërkojnë nevojën e procedimit të tij. Por nuk na la zgjidhje tjetër,” deklaroi kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi.

Procedura tani pritet të kalojë në Senat, ku Shtëpia e Bardhë është shprehur se shumica republikane atje nuk do e mbështetë shkarkimin e Presidentit.

Gjatë një tubimi elektoral për zgjedhjet e vitit 2020, Trump u deklaroi mijëra simpatizantëve se nuk ka bërë asnjë gabim dhe se ata që do të dëmtohen nga ky zhvillim janë kundërshtarët e tij.

“Me procesin e sotëm ilegal, jokushtetues dhe partiak, demokratët e mirë për asgjë i kanë shpallur urrejtjen dhe neverinë e thellë votuesit amerikan. Ky proces i paligjshëm partiak është një vetëvrasje politike për Partinë Demokratike,” u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Opinioni publik është i ndarë rreth çështjes së shkarkimit të presidentit Trump, ndërsa rivalët e tij demokratë mbrëmjen e së mërkurës e përdorin rastin për qëllime politike, me shpresën se do kenë shanse më të larta për ta fituar karrigen më të lartë të shtetit në nëntor të vitit të ardhshëm. /oranews/

Të ngjashme