Presidenti amerikan, Donald Trump, nis sot një vizitë dyditëshe në Mbretërinë e Bashkuar – të parën në këtë vend si kryetar shteti.
Britania e Madhe është në “trazira” dhe “varet nga njerëzit atje” nëse Theresa May mbetet kryeministre, tha Trump përpara vizitës.
Ai arrin në të njëjtën ditë kur Qeveria britanike publikon Letrën e saj të Bardhë me më shumë detaje nga plani kontrovers i kryeministres May për marrëdhëniet e Britanisë me Bashkimin Evropian, pas Brexit-it.
Më herët, Trump ka shprehur simpati për Brexit-in, apo daljen e Britanisë nga BE-ja dhe ka thënë se do të bëjë marrëveshje të shpejtë tregtare me Mbretërinë e Bashkuar sapo të largohet nga blloku.
Procesi i Brexit-it duhet të përfundojë deri më 29 mars të vitit të ardhshëm.
Qeveria May është lëkundur këtë javë, pasi dy ministra kanë dhënë dorëheqje, duke shprehur pakënaqësi me planin e kryeministres për marrëdhëniet e ardhshme me BE-në.
Boris Johnson dhe David Davis kanë thënë se plani do ta mbajë Britaninë të lidhur ngushtë me BE-në dhe se do ta bëjë më të vështirë për të që të bëjë marrëveshje tregtare me vendet si SHBA-ja.