Avokati i Shtëpisë së Bardhë lëshoi një deklaratë për media, duke thënë se presidenti Donald Trump nuk po shqyrton shkarkimin e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller.
Deklarata e avokatit Ty Cobb vjen pasi Trump, me disa postime në Twitter, i ka kritikuar hetimet e Muellerit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në ShBA më 2016.
Trump ka thënë vazhdimisht se ai beson se hetimet janë të motivuara politikisht dhe i ka quajtur ato “gjueti shtrigash”.
“Në përgjigje të spekulimeve në media dhe pyetjeve që i bëhen administratës, Shtëpia e Bardhë konfirmon se presidenti nuk po shqyrton apo diskuton shkarkimin e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller”, tha avokati Cobb.
Shumë demokratë, përfshirë edhe disa ligjvënës republikanë, i kanë bëtë thirrje Trumpit të mos e shkarkojë Muellerin, duke thënë se një hap i tillë do të çonte në krizë kushtetuese.
Mueller, ish-shef i FBI-së, është emëruar fillimisht për të hetuar lidhjet midis Rusisë dhe fushatës së Trumpit më 2016, por ligji i lejon atij të ndjekë çdo krim që zbulohet nga hetimet e tij.