Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha sërish se do të takojë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në samitin e G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, që do të mbahet javën e ardhshme në Japoni.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha se do të takojë Putinin dhe presidentin e Kinës, Xi Jinping, në samitin në Osaka.
Më 12 qershor, Trump u ka thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se do të takojë Putinin në G20.
Kremlini, atëbotë, ka thënë se nuk ka marrë konfirmim nga Uashingtoni për takimin e mundshëm.
Trump dhe Putin janë takuar për herë të fundit sy më sy në korrik të vitit 2018, në Helsinki.
Trump e ka bërë të qartë se po përpiqet për marrëdhënie më të mira me Rusinë dhe me Putinin në mënyrë specifike.
Pas samitit në Helsinki, ai është përballur me kritika të ashpra nga ligjvënësit amerikanë – përfshirë edhe disa republikanë – të cilët kanë thënë se presidenti nuk e ka mbajtur përgjegjës Putinin për veprimet ruse, të tilla si ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.
Uashingtoni dhe Pekini kanë konfirmuar se Trump dhe Xi do të takohen në samitin e G20-ës.