Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Mbretëria e Bashkuar me gjasë nuk do të mund të bëjë marrëveshje tregtare me ShBA-në, nëse plani i kryeministres britanike për Brexit ec përpara
Në një intervistë për gazetën britanike The Sun, Trump tha se plani i Theresa May “do ta vriste ndoshta marrëveshjen”, pasi me atë plan, “ShBA do të duhej të merrej me Bashkimin Evropian dhe jo me Mbretërinë e Bashkuar”.
May dëshiron të flasë për një marrëveshje të tregtisë me Trumpin, i cili ndodhet për vizitë në Britani.
May ka thënë se Brexit-i, apo dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian, është një mundësi për të krijuar rritje ekonomike në Mbretërinë e Bashkuar dhe në ShBA.
Plani i saj për marrëdhëniet me BE-në pas Brexit-it ka shkaktuar pakënaqësi edhe në kabinetin e saj, duke çuar në dorëheqjen e dy ministrave.
Në intervistën për The Sun, Trump përsëriti kritikat e tij për kryetarin e Londrës, Sadiq Khan, për shkak të sulmeve terroriste gjatë vitit të kaluar në kryeqytetin britanik, duke thënë se ai “ka bërë një punë të tmerrshme”.