Trump sërish flet për ndërhyrjen e mundshme të Ukrainës në zgjedhjet e vitit 2016

Prishtinë | 23 Nën 2019 | 09:55 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë një interviste televizive sërish ka përmendur një teori për përfshirjen e mundshme të Ukrainës në sulmet kibernetike gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Akuzat për përfshirjen e Kievit duket se sfidojnë konkluzionet e nxjerra nga zyrtarët e inteligjencës në SHBA, të cilët kanë thënë se është Rusia dhe jo Ukraina, që qëndron pas sulmeve gjatë zgjedhjeve.

“… Unë ende dua ta shoh atë server”, tha Trump në intervistën për Fox News. “E dini, FBI-ja kurrë nuk e ka marrë atë server. Kjo është një pjesë e madhe e kësaj (sulmeve kibernetike). Pse ata ja kanë dhënë një kompanie ukrainase? Pse”, pyeti presidenti Trump.

Këto komente Trump i bëri pasi në Dhomën e Përfaqësuesve u mbajtën seanca publike lidhur me procesin e shkarkimit të presidentit amerikan, të cilin Trump e quajti “mashtrim”, duke shtuar se ai nuk pret se do të shkarkohet, por se do të mirëpriste një “gjykim”, pasi ligjvënësit demokratë e akuzojnë atë për keqbërje lidhur me Ukrainën.

Demokratët kanë nisur një hetim lidhur me shkarkimin e presidentit Trump, pasi ata dyshojnë se Trump ka kushtëzuar ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës, në këmbim që Kievi të niste një hetim ndaj djalit të ish-nënpresidentit amerikan, Joe Biden, Hunter Biden.

Një informator i paidentifikuar kishte deponuar një ankesë lidhur me një telefonatë të zhvilluar në korrik ndërmjet presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymir Zelenskyi. Sipas informatorit, gjatë kësaj bisede, Trump i kishte kërkuar Zelenskyt që të hetojë për korrupsion rivalin e tij politik Joe Biden dhe djalin e tij. Biden aktualisht po synon që të marrë nominimin e Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme