Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se samiti i dytë me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka gjasa të zhvillohet “shumë shpejt”.
Duke folur për gazetarët në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Trump tha se është bërë “përparim i jashtëzakonshëm” në zbutjen e tensioneve me Phenjanin, rreth programit të tij me raketa dhe armë bërthamore.
“Ka qenë një botë ndryshe. Ka qenë një kohë e rrezikshme”, tha Trump, duke iu referuar fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, vitin e kaluar, kur e ka kërcënuar Korenë e Veriut me “shkatërrim total”, ndërsa Kimin e ka quajtur “njeri të raketave”.
“Është shumë më ndryshe tash, një vit më vonë. Duket se do ta kemi samitin e dytë shumë shpejt”, tha Trump.
Ai tha se sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, po punon rreth detajeve të takimit të dytë me Kimin.
Trump dhe Kim janë takuar për herë të parë në Singapor në muajin qershor.
Ditë më parë, Kim kërkoi përmes një letre një takim të dytë me Trumpin.
“Siç e dini, Kim Jong Un shkroi një letër, një letër të bukur, duke kërkuar një takim të dytë dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha Trump.
Gjatë takimit në Singapor, Trump dhe Kim kanë nënshkruar një marrëveshje për denuklearizimin e Gadishullit Korean, por ajo është kritikuar për mungesë detajesh.
Shumë vëzhgues po ashtu kanë thënë se Koreja e Veriut nuk po bën mjaftueshëm për të çmontuar lokacionet bërthamore dhe raketore.