Presidenti amerikan, Donald Trump, ka folur rreth politikave të tij me tarifat për produktet që hyjnë në ShBA, për të cilat ka pretenduar se kanë sjellë qindra miliarda dollarë, shkruan BBC.
Ai është ankuar se ligjshmëria e këtyre tarifave të gjera tani po vihet në pikëpyetje në Gjykatën e Lartë.
“Një nga arsyet më të mëdha të këtij suksesi të pabesueshëm ka qenë përdorimi ynë historik i tarifave. Ishin tarifat ato që e bënë Amerikën të fortë dhe të fuqishme në brezat e kaluar”, ka deklaruar Trump.
Tarifat po kundërshtohen nga një numër biznesesh të vogla dhe nga një grup shtetesh amerikane. Ata pretendojnë se presidenti e ka tejkaluar autoritetin e tij duke vendosur këto taksa shtesë, të cilat aplikohen mbi mallrat që hyjnë në vend.
Nëse administrata Trump humbet këtë çështje, qeveria mund të detyrohet të rimbursojë një pjesë të miliardave të dollarëve që ka mbledhur.