Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u ka premtuar amerikanëve jetë normale në pandemi, nëse ata vendosin që t’ia japin atij edhe një mandat në krye të shtetit, transmeton Gazeta Express.
Trump ka thënë se kundërkandidati i tij për president, Joe Biden dëshiron ta mbyllë vendin dhe ta zgjasë pandeminë.
“Nëse unë rizgjidhem, do të kthehemi në jetën normale. Biden përkundrazi, dëshiron ta mbyllë vendin tonë dhe ta zgjasë pandeminë. Me të kjo do të çonte në depresionin më të madh ekonomik në histori”, ka thënë ai.
Këtë premtim Trump e ka bërë gjatë tubimit të tij në Muskegon, në shtetin kyç të Miçiganit, në ditët kur numri i të infektuarve me COVID-19 u kthye në nivelet e mesit të korrikut, me mbi 69,000 raste të premten.