Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi përmes rrjetit “Twitter” se agjentët amerikanë të imigracionit janë duke planifikuar arrestime masive të imigrantëve nga java e ardhshme.
“Javën e ardhshme, agjentët për imigracion do ta fillojnë procesin e largimit të miliona imigrantëve ilegalë që në mënyrë të paligjshme kanë arritur të hyjnë në territorin e Shteteve të Bashkuara”, shkroi Trump në “Twitter”.
Në vitin 2018, presidenti amerikan dhe disa zyrtarë tjerë të lartë amerikanë e patën kërcënuar kryetarin e Oaklandit me ndjekje penale pasi i kishte njoftuar banorët e qytetit për operacionet për gjetjen e imigrantëve ilegalë nga forcat e qeverisë qendrore.
Trump dhe këshilltari i tij i lartë për imigrimin, Stephen Miller, i kanë shtyrë zyrtarët e Sigurisë së Atdheut t’i arrestojnë mijëra imigrantë, deportimi i të cilëve është vendosur nga Departamenti i Drejtësisë.
Në prill të këtij viti, ish-drejtori i Agjencisë për Imigracion, Ronald Vitiello, dhe ish-sekretarja e Departamentit për Siguri të Atdheut, Kirstjen Nielsen, u shkarkuan nga detyra pasi ngurruan ta zbatonin planin e paraqitur nga Shtëpia e Bardhë dhe Donald Trump, shkruan “Washington Post”.