Trumpi dërgon ndihma federale në Kaliforni pas zjarreve të shumta

Prishtinë | 23 Gus 2020 | 10:00 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se zjarret të cilat kanë kapluar shtëpi dhe pyje në Kaliforni janë fatkeqësi ndërsa ka dërguar ndihmë federale.

Më shumë se 14,000 zjarrfikës po përballen me 585 zjarre të cilat tashmë kanë djegur afër një milion hektarë.

Erërat që parashikohen të jenë në vend po kërcënojnë të dërgojnë flakët e zjarreve edhe në zona më të populluara.

Të paktën gjashtë njerëz kanë vdekur, derisa mijëra të tjerë janë evakuuar, raporton BBC.

Të shtunën, guvernatori Gavin Newsom kishte thënë se zjarret që kanë përfshirë pjesë të San Franciskos janë të tretat më të mëdha në historinë e Kalifornisë.

Me më shumë se 650,000 raste me koronavirus, Kalifornia mban numrin më të lartë të infektimeve në SHBA, gjë që po frikëson të evakuuarit të cilët thonë se kanë frikë të shkojnë në strehimet emergjente për shkak të përhapjes së virusit, transmeton KOHA.

Për këtë arsye, njerëzit të cilëve u kërkohet të largohen, janë obliguar të mbajnë të paktën dy maska për person, ashtu si edhe dezinfektues, sapun.

Të ngjashme