Rezultati në zgjedhjet presidenciale në SHBA po vazhdon të jetë ngushtë në shtetet kyçe.
Në Michigan, që i ka 16 vota elektorale, kur janë numëruar 86 për qind të votave, Donald Trump, po kryeson me afro 27 mijë vota ndaj Joe Bidenit. Kishte epërsi në gati 200 mijë vota, por pas numërimit të një pjese të votave me postë, është zvogëluar disavantazhi.
Në Wisconsin, që i jep dhjetë votra elektorale, pas numërimit të 97 për qind të votave, po kryeson Joe Biden me 21 mijë vota, 49.5 për qind karshi 48.8 për qind sa i ka Trump. Trumpi ishte në avantazh fillimisht.
Në Karolinë Veriore, ku janë 15 vota elektorale, Trumpi po kryeson me afro 77 mijë vota epërsi ndaj Bidenit kur janë numëruar 95 për qind të votave. Në Pennsylvania, ku janë 20 vota elektorale, pas 75 për qind të votave të numëruara, po kryeson Trumpi me mbi 600 mijë vota.
Në Nevada pas 86 për qind të votave të numëruara, Biden po kryeson me një avantazh prej 8 mijë votave. Në Arizona fitorja e Bidenit po shihet si e sigurt, siç po shihet e Trumpit në Alaska. Arizona jep 11 vota elektorale, e Alaska tri. Në Georgia, ku janë 16 vota elektorale, Trumpi po kryeson me një avantazh prej afro 96 mijë votave.