Presidenti amerikan Donald Trump, në paraqitjen e tij të parë prej se u infektua me koronavirus, ka vazhduar të ofrojë informacione të rrejshme për virusin.
Në serinë e keqinformimeve, Trumpi ka thënë se koronavirusi po zhduket. Këtë e ka thënë vetëm një javë pasi njoftoi se është testuar pozitiv për virusin.
E vërteta është se presidenti për një kohë shumë të gjatë ka zbehur kërcënimin që i kanoset njerëzimit nga koronavirusi.
Të dhënat e fundit tregojnë se koronavirusi është larg nga zhdukja në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, pandemia është duke u intensifikuar.
Në javën e fundit, gjysma e shteteve amerikane kanë raportuar për ngritje të rasteve të reja.
Të premten, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përjetuar ditën e tretë me radhë me më shumë se 50 mijë raste të reja me koronavirus.
Sulmin me informacione të rrejshme e ka vazhduar edhe ndaj rivalit demokrat, Joe Biden.
Trumpi ka thënë se Bideni plaçkitjen dhe dhunën po i cilëson si protesta paqësore.
Këtë e ka përsëritur të shtunën kur po fliste për fanatikët e majtë ekstremë, që kanë dëmtuar kishat dhe shumë ndërtesa.
Qëndrimi i Trumpit nuk është i vërtetë.
Bideni me saktësi ka thënë se shumë prej protestuesve kanë qenë paqësorë. Ai asnjëherë nuk ka argumentuar se protestuesit e dhunshëm janë pjesë e protestave paqësore.
Për më shumë, Bideni vazhdimisht ka dënuar dhunën dhe plaçkitjen e dyqaneve gjatë protestave kundër racizmit dhe brutalitetit të policisë.