Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka thënë se pret të arrestohet, për shkak të lidhjes së tij me sulmin në Capitol më 6 janar 2021 dhe përpjekjes së dështuar për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhje.
Trump ka thënë në një postim në mediat sociale se ishte informuar nga prokurori Jack Smith se ai ishte objektivi i hetimit të tyre të ri.
Ai ka thënë se i ishte thënë të raportonte në një juri të madhe, “që pothuajse gjithmonë nënkupton arrestim dhe aktakuzë”.
Prokurori i posaçëm nuk i komentoi deklaratat e Trumpit.
Një aktakuzë e tillë do të ishte e treta e Trumpit për keqbërje të dyshuar kriminale, përfshirë 37 akuzat e ngritura nga ekipi i Smithit në qershor, duke e akuzuar ish-presidentin për “përdorim të gabuar” të dokumenteve të klasifikuara.
Trumpi u akuzua gjithashtu në New York për falsifikimin e të dhënave të biznesit në pagesa sekrete për yllin e filmave për të rritur Stormy Daniels më 2016.
Gjyqi pritet të fillojë në mars të vitit të ardhshëm, ndërsa avokatët e ish-presidentit ende po kundërshtojnë datën për çështjen e dokumenteve sekrete.
Duke folur në Cedar Rapids, Iowa, të martën mbrëma, Trumpi shprehu zhgënjimin e tij me zhvillimin e fundit.
“Unë praktikisht nuk e dija se çfarë ishte thirrja, juritë e mëdha dhe të gjitha këto. Tani po bëhem ekspert. Është turp”, ka thënë ai.