Presidenti Donald Trump shkarkoi drejtorin e agjencisë federale që garantoi besueshmërinë e zgjedhjeve të vitit 2020.
Trumpi shkarkoi të martën mbrëma drejtorin e Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, Christopher Krebs me një postim në Twitter, duke thënë se deklarata e tij e fundit në mbrojtje të sigurisë së zgjedhjeve ishte “shumë e pasaktë”.
Shkarkimi i Krebsit, i emëruar nga Trumpi, vjen pasi presidenti po refuzon të pranojë fitoren e presidentit të zgjedhur, demokratit Joe Biden dhe po largon nga detyra zyrtarë të nivelit të lartë që i konsideron si jo besnikë sa duhet. Ai pushoi nga puna edhe Sekretarin e Mbrojtjes Mark Esper, më 9 nëntor.
Krebs, një ish-ekzekutiv i Microsoftit, drejtoi agjencinë e njohur si CISA, që nga krijimi i saj pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet 2016 deri në zgjedhjet e nëntorit. Ai u vlerësua nga të dyja krahët e politikës ndërsa CISA bashkërendonte përpjekjet federale, shtetërore dhe lokale për mbrojtjen e sistemeve zgjedhore nga ndërhyrjet e huaja ose të brendshme.
Ai nuk pati ndonjë prirje për të rënë në sy, megjithëse shprehu besim përpara votimeve të nëntorit te siguria e zgjedhjeve dhe më pas, hodhi poshtë akuzat se numërimi i votimeve ishte shoqëruar me mashtrime. Disa herë, ai u duk se po e kundërshtonte drejtpërdrejt Trumpin, një lëvizje befasuese nga një zyrtar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, një agjenci që ka ngjallur kritika se është shfaqur se ishte shumë e afërt me synimet politike të presidentit.
CISA lëshoi deklarata ku hidhte poshtë pretendimet se një numër i madh të vdekurish rezultonin si votues ose që dikush mund të ndryshonte rezultatet pa u diktuar.
Ai gjithashtu shpërndau një deklaratë nga një koalicion zyrtarësh federalë dhe shtetërorë duke arritur në përfundimin se nuk kishte prova që votat ishin komprometuar ose ndryshuar në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe se këto votime ishin më të sigurtat në historinë amerikane.
Krebsi shmangu kritikat e drejtpërdrejta ndaj presidentit dhe u përpoq të qëndronte mbi grindjet politike, megjithëse ai u përpoq të kundërshtonte dezinformatat që vinin nga presidenti dhe mbështetësit e tij.
“Nuk është detyra jonë të kontrollojmë vërtetësinë e asaj që thotë presidenti”, tha ai në një konferencë me gazetarët në prag të zgjedhjeve.
CISA punon me zyrtarë shtetërorë dhe lokalë që menaxhojnë zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara si dhe me kompani private që sigurojnë pajisjet e votimit për të garantuar sigurinë kibernetike dhe rreziqe të tjera gjatë monitorimit të votimit dhe numërimit të votave nga një dhomë kontrolli në selinë e saj pranë Uashingtonit. Agjencia punon gjithashtu me industrinë dhe shërbimet për të mbrojtur bazën industriale të vendit dhe rrjetin e energjisë nga kërcënimet.
Agjencia gëzon një reputacion të mirë mes autoriteteve që u shërben – shtetit dhe zyrtarëve lokalë të zgjedhjeve që mbështeten në këshillat dhe shërbimet e saj në një kohë sulmesh kibernetike pothuajse të vazhdueshme – si dhe në Kongres, ku ligjvënësit kohët e fundit propozuan një rritje të buxhetit të saj vjetor prej rreth 2 miliardë dollarë.
Mes njoftimeve të fundit se Krebs kishte frikë se mund të pushohej nga puna, kongresmeni Bennie Thompson, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare, kishte thënë se ishte i shqetësuar dhe i dërgoi një mesazh drejtorit për ta pyetur nëse ishte mirë. Përgjigja ishte: “tash për tash”, tha demokrati nga Misisipi.
“Është për të ardhur keq nëse dikujt me një talent të tillë i mbyllet goja”, tha Thompson. “Nuk kam parë asnjë prirje partiake tek ai. Ai ka qenë një profesionist i përkryer”.
Kongresmeni Jim Langevin, një demokrat nga Rhode Island i cili merret me çështjet e sigurisë kibernetike, u kishte bërë thirrje kolegëve të tij republikanë që ta mbronin atë para se të hiqej nga posti.
“Chris Krebs dhe CISA kanë punuar aq mirë nën udhëheqjen e tij sepse ai dhe ekipi i tij thjesht kanë bërë punën dhe nuk u morën me politikë partiake”, tha Langevin.
Agjencia kishte pasur fillime të vështira. Pak përpara se presidenti Barack Obama të largohej nga zyra, Shtetet e Bashkuara i përcaktuan sistemet zgjedhore si infrastrukturë kritike të sigurisë kombëtare, si digat ose termocentralet, si rezultat i ndërhyrjes nga Rusia, gjë që përfshinte depërtimin e sistemeve të zgjedhjeve shtetërore si dhe dezinformimin masiv.
Disa zyrtarë të zgjedhjeve në shtete dhe republikanët, duke dyshuar për ndërhyrje federale në territorin e tyre, ishin kundër këtij kategorizimi. Shoqata Kombëtare e Sekretarëve të Shtetit miratoi një rezolutë në kundërshtim me lëvizjen në shkurt 2017. Por administrata e Presidentit Trump mbështeti përcaktimin dhe përfundimisht zyrtarët skeptikë të shteteve e mirëpritën ndihmën. \ Voa