Inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Shtetit, Steve Linick, është bërë zyrtari i fundit i lartë që shkarkohet nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se z.Linick nuk e ka më besimin e tij të plotë dhe se ai do të largohet nga zyra brenda 30 ditësh.
Sipas disa raportimeve, inspektori Linick kishte nisur hetime kundër sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo, rreth dyshimeve për keqpërdorim të detyrës.
Politikanët demokratë thonë se presidenti është duke bërë hakmarrje kundër shërbyesve civilë që po kërkojnë llogari nga administrata e tij, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
“Është jetike që unë të kem besim të plotë në të përzgjedhurit që shërbejnë si inspektorë të përgjithshëm. Ky nuk është më rasti me këtë inspektor të përgjithshëm”, citohet të ketë shkruar presidenti në letrën dërguar kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Pak kohë pas njoftimit për shkarkimin e kryeinspektorit, shefi Komisionit për Çështje të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve tha se Linick e kishte hapur një hetim kundër sekretarit të shtetit, Mike Pompeo.
“Ky shkarkim është një akt i një presidenti që po përpiqet ta mbrojë njërin prej përkrahësve të tij më besnikë, sekretarin e shtetit, nga llogaridhënia”, tha Eliot Engel përmes një deklarate.