Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka marrë një vendim të rëndë për imigrantët, dhe kjo mendohet të jetë pikë kyç e fushatës së tij.
Ai ka vazhduar pezullimin e disa leje-qëndrimeve apo kartonëve të gjelbër dhe ka pezulluar vizat për punonjësit e huaj deri në fund të vitit 2020, shkruan BBC-ja të martën.
Nga ky vendim do të preken punonjësit në teknologji, punonjësit sezonal, kujdestarët shtëpiakë si dhe drejtorët e menaxherët e shumë kompanive.
Shtëpia e Bardhë tha se ky vendim do të krijojë më shumë vende pune për amerikanët, të cilët janë të prekur ekonomikisht për shkak të pandemisë së COVID-19.
Kritikët thonë se Shtëpia e Bardhë është duke keqpërdorur pandeminë e koronavirusit për të shtrënguar ligjet e imigrimit, transmeton KOHA.
Në një konferencë të shkurtër për gazetarët, zyrtarët e Administratës Trump, thanë se ky pezullim që do të zgjatë deri në fund të vitit, do të prekë mbi gjysmë milioni njerëz.
Kjo do të përfshijë edhe afro 170.000 njerëz të bllokuar nga vendimi që të mos zgjaten lejet e tyre të qëndrimit të përhershëm.
Shtëpia e Bardhë së pari lajmëroi se po ndalonte këto viza në prill, por afati i këtij vendimi do të kalonte të hënën.
Mark Kikorian, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Studime të Migrimit, i cili është në favor të këtyre kufizimeve, tha: “Kjo është një lëvizje e guximshme e Administratës së Trumpit për të mbrojtur vendet e punës për amerikanët”.
Por Unioni i Lirive Civile i Amerikës tha: “Ky është keqpërdorim i pandemisë për të ndryshuar Ligjin e imigrimit, duke e anashkaluar Kongresin”.
Ky ligj i ri kundërshtohet nga shumë biznese gjithashtu, të cilat varen nga punëtorët e huaj.
“Gjersa ekonomia rimëkëmbet, bizneset amerikane kanë nevojë për siguri se do të kenë mjaftë force punëtore”, thuhet në letrën e Odës së Tregtisë. “Për këtë arsye, është e domosdoshme që bizneset të kenë qasje në talente nga SHBA-ja, por edhe nga e tërë bota”, vazhdon tutje letra.