Trupat elite australiane vranë civilët afganë, zbulon raporti

Prishtinë | 19 Nën 2020 | 10:51 | Nga Ekonomia Online

Një hetim katër-vjeçar ka zbuluar të dhëna “thellësisht shqetësuese” se si trupat elitare australiane vranë 39 të burgosur afganë.

Vrasjet ndodhen pas vendosjes së këtyre trupave në Afganistan, si pjesë e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja për të luftuar talibanët.

Shefi i Forcës së Mbrojtjes australiane, gjenerali, Angus Campbell, tha se informacionet “e turpshme” dolën në bazë të një hetimi, gjetjet e të cilit u shpallën më 19 nëntor.

Në raport pretendohet për “shkeljet më serioze të sjelljes ushtarake dhe vlerave profesionale”.

Hetimi zbuloi pretendimet për trajtimin çnjerëzor të të burgosurve në Afganistan nga viti 2005 deri më 2016.

Raporti përshkruan raste kur ushtarëve të rinjë u është thënë që të kryenin vrasjet e para të tyre duke qëlluar të burgosurit, një praktikë e njohur si “gjakderdhje”.

“Armë dhe gjëra tjera u vendosën pranë trupave afganë për të mbuluar krimet. Dy incidente shtesë mund të përbëjnë një krim lufte të kategorizuar si ‘trajtimit mizor’”, thuhet në raport, transmeton BBC.

Asnjë nga këto vrasje të pretenduara nuk mund të thuhet se janë bërë “gjatë betejës”, tha Cambell, duke folur para gazetarëve në Kanberra.

Hetimi u krye nga Paul Brereton, një gjykatës, që intervistoi më shumë se 400 dëshmitarë dhe shqyrtoi mijëra faqe dokumentesh.

“Brereton zbuloi se kishte informacion të besueshëm për të vërtetuar 23 incidente të pretenduara të vrasjeve të paligjshme të 39 personave nga ana e 25 pjesëtarëve të Forcave Speciale Australiane, kryesisht nga Regjimenti i Shërbimit Ajror Special (SAS)”, tha Campbell.

Raporti rekomandon që 19 ushtarë duhet të hetohen nga policia për akuza të mundshme, përfshirë vrasjen.

Campbell tha se ai kishte folur drejtpërdrejt me homologun e tij ushtarak afgan, për të shprehur keqardhjen e tij, dhe ka shprehur një kërkimfalje për popullin e Afganistanit.

“Në emër të Forcës Australiane të Mbrojtjes, unë sinqerisht dhe pa rezerva kërkoj falje për çdo keqbërje nga ushtarët australian”, tha Campbell.

Sjellja e pretenduar e Forcave Speciale ” nuk respektoi besimin që na dha populli afgan, përmes kërkesës së tyre për t’i ndihmuar”, tha ai.

Campbell tha se është duke u përgatitur një plan për të adresuar veprime në lidhje me 143 rekomandimet e raportit dhe masat shtesë të nevojshme.

Kryeministri australian, Scott Morrison, kishte paralajmëruar më herët se raporti do të përfshinte “lajme të rënda për australianët”, por të dhënat e raportit sërish tronditën vendin.

Morrison e ka telefonuar presidentin e Afganistanit, Ashraf Ghani, përpara se raporti të bëhet publik për të shprehur “hidhërimin e tij më të thellë për sjelljen e keqe nga disa trupa australiane”. Ai i tha presidentit afgan se do të kryhen hetime për të siguruar drejtësinë.

Mediat australiane raportojnë se hetimet e policisë ka të ngjarë të zgjasin me vite.

Australia vendosi trupa në Afganistan më 2002 pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Aktualisht në Afganistan janë rreth 1,550 pjesëtarë të personelit australian.

Të ngjashme