Trupat rusë kanë filluar të kthehen në bazat e tyre të përhershme të premten pas një grumbullimi masiv afër kufirit me Ukrainën, që shkaktoi shqetësime të Perëndimit, njofton AP.
Të enjten, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, deklaroi se trupat rusë në Krime dhe pjesët e gjera të Rusisë perëndimore u urdhëruan të kthehen në bazat e tyre të përhershme deri më 1 maj.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e mirëpriti njoftimin.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë të premten se forcat e saj që morën pjesë në stërvitjet masive në Krime po lëviznin për të hipur në trena, aeroplanë transportues dhe anije zbarkuese gjatë rrugës për kthimin në bazat e tyre.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka thënë se Kyivi do të presë konfirmimin e inteligjencës për tërheqjen.
Ai shtoi se nëse tërheqja konfirmohet, “kjo do të nënkuptojë një lehtësim të vërtetë të tensionit”.
Kuleba falënderoi NATO-n dhe vendet e BE-së për ofrimin e “mbështetjes shumë të vendosur dhe të menjëhershme për Ukrainën”.