Trupi gjykues, i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për zgjatje të kufirit të fjalës në dosjen përfundimtare të tyre prej 15 mijë fjalësh.
Në vendimin e trupit gjykues thuhet se më 20 qershor 2022, paneli nxori “Vendimin për mbylljen e procedurës së provave dhe çështjeve të ndërlidhura”, në të cilin paneli, ndër të tjera, urdhëroi ZPS-në dhe mbrojtjen për Salih Mustafën që t’i dorëzojnë dosjet e tyre përfundimtare përkatëse deri të enjten (21 korrik 2022), raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit, më 7 korrik 2022, ZPS-ja dorëzoi “Kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e kufirit të fjalës”, në të cilën ZPS i kërkon panelit që të japë një zgjatje prej 15 mijë fjalësh të kufirit të fjalëve për dosjen e tyre përfundimtare.
“Paneli vëren se sipas nenit 36 (1) të Udhëzimit Praktik, pjesëmarrësit në procedurë mund të kërkojnë, paraprakisht, një zgjatje të kufizimeve të fjalëve pasi të tregojnë se ekziston një shkak i mirë që përbën rrethana të jashtëzakonshme. ZPS kërkon një zgjatje prej 15.000 fjalësh për dosjen e saj përfundimtare me qëllim që: (i) të trajtojë përgjegjësinë e të Akuzuarit sipas mënyrave të ndryshme të përgjegjësisë të përfshira në aktakuzë; (ii) t’i përgjigjet pohimit të mbrojtjes për një mbrojtje alibi; dhe (iii) të përfshijë parashtresa gjithëpërfshirëse të dënimit”, thuhet në këtë vendim.
Sipas vendimit, paneli është i mendimit se kërkesa është dorëzuar mjaft paraprakisht, përkatësisht dy javë para afatit të fundit për dosjen përfundimtare të gjykimit.
Tutje, thuhet se paneli gjithashtu konsideron se zgjatja e kufirit të fjalës do t’i mundësonte ZPS-së të paraqesë një përmbledhje të fokusuar dhe të plotë që angazhohet me të gjitha çështjet faktike dhe ligjore që dalin nga ky rast.
Prandaj, paneli konstaton se arsyeja e mirë që garanton zgjatjen e kërkuar të kufirit të fjalës është demonstruar.
Në fund, thuhet se paneli përfundimisht rikujton se në përputhje me nenin 36 (2) të Udhëzimit Praktik, mocionet për zgjatjen e kufizimeve të fjalëve mund të hidhen poshtë pa i dhënë mundësinë palës kundërshtare ose mbrojtësit të viktimave që të dëgjohen.
“Duke pasur parasysh se nuk do t’i shkaktohet asnjë paragjykim mbrojtjes, e cila mori të njëjtin shtrirje të fjalës, Paneli konsideron se është e përshtatshme që Kërkesa të merret menjëherë”, thotë vendimi.
Në këtë rast, në shtator të këtij viti, pritet që palët të paraqesin fjalët e tyre përfundimtare.
Ndryshe, aktakuza ndaj Salih Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ku ngarkohet për krime lufte.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.