Ditë më parë, kompania mediatike në të cilën aksionari kryesor është Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, bëri një njoftim atipik që befasoi edhe mediumet si Bloomberg dhe Wall Street Journal, të cilat dhe njihen për shkrimet e tyre dhe për më të rejat nga tregjet financiare globale, dhe rrallë herë, për të mos thënë asnjiherë mund të kapen në befasi.
Truth Social, platforma sociale në të cilën Donald Trump poston rregullisht për pothuajse çdo gjë, ka njoftuar publikisht se nga data 1 Gusht cicërimat e Presidentit Trump mund të blihen si një abonim mujor përmes pakos të njohur si ‘Truth Social API’ dhe çmimi do të jetë 100,000 dollarë.
Duke patur parasysh që cicërimat e Presidentit Trump bëhen në një platformë të hapur dhe për vet faktin që këto cicërima janë publike, dilema e investitorëve mbetet legjitime dhe po atë dilemë mund ta kemi edhe ne gjithashtu.
Pra, për çfarë saktësisht shërben abonimi në ofertën prej njëqind mijë dollarësh nëse
cicërimat janë publike ?
Për të kuptuar gjithë këtë kakofoni mediatike dhe për të sqaruar sadopak dilemën Shekspiriane nëse cicërimat e Presidentit Trump kanë apo jo ndikim, duhet të kthehemi në kohën kur Donald Trump fiton mandatin e parë presidenciale, në vitin 2017, dhe pa humbur kohë nga llogaria e tij zyrtare në Twitter paralajmëron Kinën për rritjen e tarifave, dhe Turqinë për rritjen e çmimit të çelikut dhe aluminit me pretekstin se të dyja këto vende kanë përfituar nga disproporcionaliteti në çmime dhe tarifa.
Vetëm dhjetë minuta pas cicërimave nga llogaria zyrtare e Presidentit Trump, vlera e dollarit rritet, ndërsa vlera e valutës kineze dhe asaj turke bie ndjeshëm.
Këtu dhe lind fenomeni që tani zyrtarisht e njohim si ‘Trump Tweet’, e gjitha si rezultat i qasjes jo-konvencionale që Presidenti Trump ka në rrjetete sociale, duke anashkaluar protokollet e zakonshme diplomatike.
Sot, ‘cicërima Trump’ ka evoluar në një mjet të fuqishëm për tregjet financiare, pasi ato reagojnë me ndjeshmëri ndaj paralajmërimeve të Presidentit Trump në ‘Truth Social’.
Nga tarifat shtesë deri te sulmet ajrore ndaj Iranit, ose masat tjera proteksioniste kundër vendeve miqësore evropiane dhe atyre më pak miqësore si Kina ose Rusia.
Retorika e Presidentit Trump mbi tregtinë ndërkombëtare është bërë një tregues i rëndësishëm për investitorët që janë aktivë në tregjet financiare, pasi çdo aset i listuar në bursat ndërkombëtare nga nafta te dollari amerikan, ari ose bitcoin, mbeten te ekspozuara ndaj luhatjeve ekstreme, dhe cdo gjë fillon me një cicërimë të vetme në Truth Social.
Hulumtimet e fundit nga Barron’s nxorën në pah një tregues shumë interesant mbi fenomenin e cicërimave Trump, aty ndër tjerash thuhet se “sa më shumë që Presidenti Trump poston, aq më shumë bie tregu”. Bank of America gjithashtu pohon se ndikimi i cicërimave Trump vazhdon të rritet, duke theksuar se aksionet kanë tendencë të bien në ditët kur Trump poston më shumë se 35 herë dhe të rriten në ditët kur ai poston më pak se pesë herë.
Në fund të fundit, duket se dilema e vetme që kemi nuk është nëse “cicërimat Trump” kanë ndikim, por si t’i lexojmë ato saktë. Në fakt, dilema e vetme mbetet si t’i zbatojmë ato në veprime konkrete tek asetet që herë bien vrullshëm e herë ngriten lartë.
Prandaj, abonimi për akses të shpejtë në ‘Truth Socail API’ mund të jetë një ndihmes për bankierët dhe menaxherët e fondeve, apo për cdo sipërmarrës i cili i kupton tregjet dhe bën diversifikimin duke shfrytëzuar drejt ‘cicërimat Trump’.