Tryezë për avancimin e shërbimeve digjitale bankare në Kosovë

Prishtinë | 31 Tet 2016 | 20:56 | Nga

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) si përgjegjëse për krijimin e politikave kombëtare për Teknologji Informative dhe Komunikuese, së bashku me aktorë të tjerë që kanë të bëjnë me sektorin e TIK-ut, është duke bërë përpjekje që kjo teknologji të jetë promotor i zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik dhe proceseve shoqërore në Kosovë. Kështu ka deklaruar Besa Zogaj-Gashi, zëvendësministre e Zhvillimit Ekonomik në hapje të konferencës vjetore të Bankave të Kosovës me temën “Shërbimet Digjitale Bankare në Kosovë”, organizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës, në bashkëpunim me organizatën STRAS.

Ajo më tej ka pohuar se në mënyrë që shërbimet bankare të jenë universale dhe të shtrirë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës respektivisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik në partneritet me Bankën Botërore janë duke zhvilluar një Program gjithëpërfshirës për Ekonominë Digjitale të Kosovës (Kosovo Digital Economy – KODE).

“Ky program do të kontribuojë ndjeshëm edhe në shtrirjen e shërbimeve bankare sepse do të adresojë shtrirjen e infrastrukturës brezgjerë në viset rurale të Kosovës ku deri më tash ndoshta nuk ka pasur mundësi të prezencës së shërbimeve bankare”, është shprehur Zogaj –Gashi.

Ndërsa, sa i përket kornizës ligjore zv.ministrja Zogaj-Gashi ka njoftuar të pranishmit se MZhE-ja gjatë vitit të ardhshëm planifikon që të fillohet me procedurat për avancimin e legjislacionit që ka të bëjë me shërbimet elektronike dhe që janë në interes edhe të sektorit bankar, respektivisht do të fillohet me transpozimin e Rregullores për Identitetin Elektronik dhe Shërbimeve të Besueshme për Transaksionet Elektronike.

Zëvendësministrja Zogaj-Gashi para të pranishmëve ka rikujtuar se eksporti i shërbimeve të TI-së ka shënuar rritje të konsiderueshme në këto tre vitet e fundit.

“Jam e bindur që lehtësirat që do të krijohen nga ana e Qeverisë për kompanitë që do të ofrojnë shërbime të TI-së të orientuara kah eksporti dhe me këtë edhe avancimi i shërbimeve të ofruara nga sektori bankar, do të rrisin interesimin e ndërmarrësve të rinj që të merren me TI dhe ta konsiderojnë këtë teknologji si mjet edhe për rritje dhe zhvillim ekonomik”, është shprehur ajo.

Të pranishmit kanë shpalosur të dhënat mbi nivelin aktual të zhvillimit të shërbimeve digjitale bankare në Kosovë dhe mundësitë e zhvillimit të mëtutjeshëm në këtë fushë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme