Tucheli kundërshton reformat në Champions, kërkon cilësi jo sasi

Prishtinë | 26 Pri 2021 | 21:55 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka filluar një sulm të ashpër për formatin e ri të Ligës së Kampionëve, duke thënë se trajnerët dhe lojtarët nuk ishin këshilluar për planet për të shtuar më shumë ndeshje në një orar tashmë të ngjeshur në këtë garë.

UEFA javën e kaluar miratoi ndryshimet në garën e saj kryesore të klubeve, që do të hyjnë në fuqi nga viti 2024.

Numri i ekipeve që marrin pjesë në fazën e grupeve të Championsit do të rritet nga 32 në 36, me secilën skuadër që i ka të garantuara të paktën dhjetë ndeshje. Chelsea ishte një nga 12 klubet që u regjistruan në projektin e Superligës, që do të sillte një ngarkesë edhe më të madhe të lojtarëve, me minimum 18 ndeshje përgjatë sezonit të rregullt për të gjitha klubet e përfshira.

Chelsea dhe pesë klubet e tjera të Premier Leagues, që ishin regjistruar në ligën e izoluar, shpejt u tërhoqën, pas një reagimi të ashpër nga tifozët, lojtarët dhe autoritetet. Tucheli mirëpriti kthesën e Chelseat për Superligën, por duke folur para gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit, pati ankesa për formatin e ri të kësaj gare.

“Nuk jam i sigurt nëse më pëlqen, sepse mund të shoh vetëm më shumë ndeshje nga këto reforma. Më shumë ndeshje në orarin që kemi dhe nuk mund të them se jam i ngazëllyer. Të gjitha këto diskutime në lidhje me Superligën na bënë të harrojmë se kemi një format të ri të Championsit shumë shpejt”, tha Tucheli. “Nuk besoj se për këto reforma është pyetur ndonjë trajner apo lojtar. Personalisht mua nuk më ka pyetur askush. Ne kemi kaq shumë formate të reja me Ligën e Kombeve dhe Kampionatin Botëror për klube që vijnë së shpejti. Më shumë ekipe në Kampionatin Evropian në verë. Kjo nuk është më cilësore, por vetëm më shumë ndeshje”.

Edhe mesfushori i Manchester Cityt, Ilkay Gundogan, ka thënë fjalë të mëdha kundër ndryshimeve në Ligën e Kampionëve, duke thënë se formati aktual e bëri garën më të popullarizuar të klubeve në botë.

“Gjithnjë e më shumë lojëra, a nuk mendon askush për ne lojtarët?”, shkroi Gundogan në “Twitter”. “Formati i ri i Championsit është vetëm më e vogla nga dy të këqijat në krahasim me Superligën”.

Manchester City luan me Paris Saint-Germainin në gjysmëfinalen tjetër, të mërkurën mbrëma.

UEFA kishte rënë dakord ta ndryshonte formatin aktual të 32 skuadrave të ndara në tetë grupe me presionin e shumë prej klubeve të mëdha pas projektit të Superligës.

UEFA kishte kërcënuar klubet e përfshira në Superligë me largim nga Championsi, por Tucheli këmbënguli se Chelsea dhe Madridi kishin fituar të drejtën për të mbetur në garë.

“Ne meritojmë të jemi në gjysmëfinale, ashtu si Real Madridi që e meriton të jetë në gjysmëfinale”, shtoi Tucheli. “Ne nuk e meritojmë për shkak të ndikimit politik, ose për shkak të madhësisë, fanellave apo logos sonë. Ne e meritojmë, sepse kemi bërë një rrugë të gjatë për të arritur deri këtu”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme