Tunizia drejt diktaturës, presidenti i jep vetes pushtet gati të pakufizuar

Prishtinë | 23 Sht 2021 | 10:56 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Tunizisë, Kais Saied, deklaroi të mërkurën se do të qeverisë me dekret dhe do t’i injorojë disa pjesë të kushtetutës. Komenti i tij erdhi në kohën kur politikani po përgatitet për ta ndryshuar sistemin politik, gjë që ka nxituar kundërshtime të menjëhershme nga rivalët.

Saied e ka marrë pothuajse pushtetin e plotë të vendit nga 25 korriku, kur e shkarkoi kryeministrin, e pezulloi punën e kuvendit dhe e mori autoritetin ekzekutiv, duke e përmendur si arsye urgjencën kombëtare. Kundërshtarët e tij këtë e cilësuan puç.

Ndërhyrja e presidentin në sistemin politik i ka minuar rezultatet demokratike të revolucionit tunizian të vitit 2011, me të cilin i ishte dhënë fund pushtetit autokratik dhe i cili e kishte sjellë “Pranverën Arabe”, pavarësisht se presidenti është zotuar se do t’i ruajë liritë e fituara para një dekade.

Me kalimin e javëve, ai është përballur me rritje të trysnisë nga politikanët vendës dhe nga përkrahësit perëndimorë për të emëruar një kryeministër të ri dhe për të treguar se si planifikon ta nxjerrë vendin nga kriza, shkruan France24.

Puna e kuvendit vazhdon të mbetet e pezulluar. Madje, deputetëve u janë ndalur edhe pagat dhe nuk do të kenë imunitet nga ndjekja penale.

Saied nuk ka vendosur ndonjë afat kohor për rrëmbimin e pushtetit nga ana e tij, por tha se do të emërojë një komision që do të ndihmojë në ndryshimin e kushtetutës.

Një zyrtar i lartë i partisë së dytë më të madhe në shtetin afrikan e akuzoi presidentin se po kryen një puç të paramenduar.

Sidoqoftë, Saied ka mohuar se ka aspirata diktatoriale, duke këmbëngulur se vendimet e tij janë kushtetuese dhe është zotuar se do t’i mbrojë të drejtat e tunizianëve.


Të ngjashme