Tupja: Kur në Francë një gur mbrohet si trashëgimi, në Shqipëri asnjë teatër

Prishtinë | 04 Kor 2018 | 10:13 | Nga

Profesori i njohur Edmond Tupja është njëri prej kundërshtuesve të rrëzimit të Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe këtë e ka shprehur me një shembull që ka marrë nga një fshat në Francë.

“Kam parë një emision në një televizion frankofon. Ishte në kuadrin e turizmit kulturor. I tregoi kamera një fshat të vogël, komunë, 100 banorë a më pak ku ishte një gurë, tip shkëmbi. Ata e kishin pastruar, kishin vënë dhe një pllakëz aty, në të cilën shënonin se një mbret ka ndaluar dhe është çlodhur atje. Ata e ruanin këtë gurë të thjeshtë”, ka treguar ai.

“Nuk ishte vepër historike, nuk ishte vepër artistike, ishte një copë gur, po ishte gur që dëshmonte për diçka në kohë. Nuk e luante njeri atë gur, aty e kishin krenarinë ato. Ky fshat i vogël që jemi ne në krahasim me Francën, me një kryeministër që nuk bën as sa kryekomunari i fshatit francez! Ky fshat i vogël për të cilin ju fola, nuk nderoi veten, nderoi Francën, nderoi Evropën, nderoi kulturën, nderoi historinë”, ka thënë Tupja.

Teatri Kombëtar i Tiranës është një objekt i ndërtuar para 70 vjetësh dhe ndodhet në qendër të Tiranës. Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, ka kohë që kanë paralajmëruar rrënimin e këtij objekti dhe ngritjen me koncesion në themelet e tij një teatri të ri me arkitekturë shumë moderne.

Ndërsa një grup artistësh e mbrojnë me këmbëngulje ruajtjen e Teatrit të vjetër dhe ngritjen e të riut në një vend tjetër, të tjerë thonë se objekti i vjetër nuk vlen për asgjë dhe se duhet të ndërtohet një i ri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme