Në kuadër të projektit “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin shkollor”, dje dhe sot në Ferizaj, Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sportit në Ferizaj, ka organizuar turneun në futboll.
Ky aktivitet ka ngjallur interesim të jashtëzakonshëm, ku kanë qenë të përfshira 27 ekipe nga shkollat fillore të kësaj komune.
Pas dy ditësh të lojërave mjaft interesante dhe rivalizuese në fund dolën edhe ekipet më të suksesshme, derisa u veçuan edhe disa talente të cilat në të ardhmen do të mund të jenë pjesë e klubeve, por edhe e kombëtares së Kosovës. Këtë aktivitet nga afër e ndoqën edhe anëtarët e KE të FFK-së, Vjollcë Krasniqi e Ilaz Mjaku, menaxherja e futbollit të femrave Valbona Gashi-Uka dhe përzgjedhësi i kombëtareve U19 e U16, Kushtrim Munishi.
Pedagogët që ishin të përfshirë në këtë aktivitet falënderuan FFK-në për këtë iniciativë, duke shprehur shpresën që gara të tilla të ketë edhe në të ardhmen, jo vetëm nga FFK-ja, por edhe federatat tjera sportive.
Fitues i këtij turneu doli ekipi i SHFMU “Gjon Sereqi” , që në finale e mundi ekipin e SHFMU “Abetarja” – Softaj, me rezultat 4:1 dhe si fitues do ta përfaqësojë Ferizajn në turneun final që do të mbahet në fund të këtij projekti në kryeqytet, me fituesit e turneve të të gjitha qyteteve.
Ndërkaq, vendi i tretë i takoi ekipit të SHFMU “Dëshmorët e Lirisë” – Manastirc, që pas penalltive e mundi ekipin e SHFMU “Naim Frashëri” – Zaskok. Në fund për ekipet më të mira u ndanë kupa, medalje dhe mirënjohje. Turneu i radhës në kuadër të këtij projekti që për qëllim e ka rritjen e ndërgjegjësimit për futbollin tek vajzat në shkolla dhe rekrutimin e talenteve në futbollin e organizuar, do të mbahet në Gjakovë.