Pashë ndeshjen Shqipëri – Maqedoni dhe më bëri përshtypje gjendja e stadiumit të sapondërtuar. Pyes veten, se si nuk ju vjen turp, që ndërtoni stadium në mes të një lagjeje, ku nuk ka as ndriçim të mjaftueshëm për të arritur aty, as infrastrukturë dhe nuk ka as parkim.
Aty duhet të parkosh në rrugë e pastaj të del dikush e të kërkon para për parkim në rrugë të askujt.
Gjithashtu, arritja në stadium bëhet me shumë vështirësi, hyrjet e stadiumit janë aq të vogla sa duhet të presësh me orë të tëra, bileta e stadiumit është sa 1/3 e rrogës mesatare në Shqipëri, shkallët e stadiumit janë aq të ngushta sa që secili që do të gjejë vendin e vet, duhet të trazojë gjithë stadiumin etj.
Kujt ja shisni këto përralla për ndërtime të mira? Mendoni se jetojmë në shekullin e XX? Ne kemi parë stadiume me standarde ndërkombëtare, ku bileta kushton sa një paketë cigareje, por kushtet janë të jashtëzakonshme. Mos i shisni gjërat mbi vlerën e vet.
Mos u tallni me popullin, e mos bëni politikë aty ku nuk duhet. Po e shkruaj këtë letër me keqardhje dhe respekt, si një tifoz i flaktë i kombëtares shqiptare të futbollit.
Të punojmë për Shqipërinë, pasi e përjetshme është ajo. Ne jemi të përkohshëm.