Kombëtarja në Andorrë për të nisur kthimin e madh

Prishtinë | 25 Mar 2019 | 11:30 | Nga Ekonomia Online

Në kohën kur tema kryesore është se kush do ta zëvendësojë Christian Panuccin në postin e seleksionuesit, kombëtarja e Shqipërisë në futboll e luan ndeshjen për të cilën shpresohet se do të shërbejë për të nisur kthimin në rrugën e sukseseve.

Në kuadër të grupit H të eliminatoreve për “Euro 2020”, Shqipëria të hënën mbrëma (sonte, 20:45), takohet në udhëtim me Andorrën, shkruan sot “Koha Ditore”.

Shqipëria të premten dëshpëroi plotësisht duke pësuar 2:0 nga Turqia në Shkodër, në ndeshjen që është shpresuar të jetë pikë kthese. Shqipëria nuk shfaqi thuajse asgjë në atë sfidë dhe të nesërmen Federata Shqiptare e Futbollit e shkarkoi italianin Panucci, nën drejtimin e të cilit kuqezinjtë kanë bërë fare pak.

Ka shumë emra që përfolen për të zëvendësuar Panuccin, ndërsa Kombëtaren në ndeshjen ndaj Andorrës do ta drejtojë ish-kapiteni Ervin Bulku. Bulkut i ka takuar përgjegjësia e madhe për të nxjerrë Kombëtaren nga situata e vështirë. Ndonëse Andorra vlerësohet përfaqësuese inferiore, momenti i vështirë që po kalon Shqipëria e bënë ndeshjen sfiduese.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme