Turqia arreston një shqiptar, dyshohet se ishte spiun i Izraelit

Prishtinë | 03 Sht 2024 | 11:18 | Nga Ekonomia Online

Turqia e ka arrestuar një person me emrin Liridon Rexhepi, që dyshohet se ishte udhëheqës i rrjetit financiar të Mossadit izraelit. Siç ka shkruar agjencia shtetërore turke e lajmeve, Anadolu Agency, i dyshuari u arrestua nga Departamenti i Antiterrorit në Stamboll.

Ai dyshohet se e ka menaxhuar rrjetin financiar të Mossadit në Turqi. Mossadi është agjencia kombëtare e inteligjencës e Izraelit.

Sipas dyshimeve, i dyshuari ka kryer incizime me dron dhe aktivitete operative psikologjike kundër politikanëve palestinezë me udhëzimet e Shërbimit izraelit të inteligjencës. Ai dyshohet se ka transferuar para për personelin e terrenit në Turqi, që përpilonin informacione lidhur me Sirinë.

Autoritetet turke raportohet se i kanë përcjellë të gjitha lëvizjet në llogaritë e të dyshuarit. I dyshuari u ndalua më 30 gusht. Në Polici, sipas AA-së, ka pranuar se ka transferuar para.

Siç shkruan “Anadolu Agency”, Rexhepi ka transferuar para në Turqi edhe nga Kosova. Këtë dyshohet se e ka bërë përmes institucioneve mikrofinanciare e kriptomonedhave.

Të ngjashme