Alexis Tsipras do të pritet të martën në një takim nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ku në fokus besohet se do të jenë tensionet e fundit mes dy vendeve. Vizita e Tsipras në Turqi do të mbyllet të mërkurën ku do të takojë në Stamboll Patriarkun Ekumenik, Bartolomeo.
Kryeministri grek Alexis Tsipras do zhvillojë një vizitë zyrtare dy ditore në Turqi ku do të takojë edhe presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.
Vizita e Tsipras nis të martën dhe ai do të qëndrojë në Turqi deri ditën e mërkurë.
Mediat greke raportojnë se Tsipras do t’i shtrojë përsëri Erdoganit çështjen e Egjeut, duke i kërkuar atij të qetësojë tensionet e shkaktuara nga shkeljet e përditshme të hapësirës ajrore greke, nga ana e avionëve ushtarakë turq.
Gjithashtu do të diskutohen çështjet e mprehta të krizës së emigracionit, marrëdhëniet e acaruara të Ankarasë me BE-në dhe do të synohet përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe.
Orët e fundit, në një mbledhje me ekspertët e Ministrisë së Jashtme, të Mbrojtjes dhe të Ekonomisë, kryeministri Tsipras është përgatitur edhe për përballimin e kërkesave të palës turke, që kanë të bëjnë me çështjen e Zonës Ekonomike Ekskluzive (ZEE), çështjen qipriote, atë të minoritetit mysliman në Trakë, si dhe dorëzimin e 8 ushtarakëve turq, që u arratisën në Greqi pas tentativës për grusht shteti.
Tsipras do të takojë presidentin Erdogan në Ankara, ditën e martë, e pas takimit do të pasojë edhe një konferencë për shtyp. Ndërsa të mërkurën, ai do të shkojë në Stamboll, ku do të takojë Patriarkun Ekumenik, Bartolomeo. Kjo është hera e katërt, që kryeministri grek shkon në vendin fqinj dhe takohet me Erdoganin.
Vizita kryhet në një moment kur marrëdhëniet e Athinës me Uashingtonin kalojnë ditët e tyre më të mira, e teksa një klimë krejtësisht e kundërt ekziston midis presidentëve Trump dhe Erdogan.
Me këtë avantazh në politikën e saj të Jashtme, qeveria greke këmbëngul që përveç uljes së tensioneve, të mbajë të hapura urat e komunikimit me Ankaranë, duke ruajtur rolin negociues të saj mes Turqisë dhe BE-së, të arrijë bashkëpunim të ngushtë për krizën e refugjatëve dhe të rrisë marrëdhëniet ekonomike me fqinjin e saj lindor.