Turqia është në bisedime me Rusinë, Gjermaninë dhe Kinën për të kryer fazën e tretë të testimeve të vaksinës kundër koronavirusit që po zhvillohet në këto tri vende, ka thënë ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca.
Tashmë Gjermania dhe Kina kanë aplikuar të kryejnë fazën e tretë të testimeve në Turqi dhe kanë prezantuar rezultatet e provës para-klinike, derisa Ankaraja dëshiron të shohë rezultatet e provës para-klinike të Rusisë para testimeve, ka thënë Koca, transmeton KOHA shkrimin e Reuters.
Në një konferencë për media ai ka thënë se në Turqi po zhvillohen 13 vaksina, tri prej të cilave kanë shkuar përtej testimeve në kafshë.
Javëve të fundit rastet me koronavirus janë rritur në Turqi.
Të mërkurën Turqia regjistroi 1303 raste, më e larta që nga fundi i qershorit, sipas të dhënave zyrtare. Kurse në total ka regjistruar 253,108 raste pozitive me COVID-19.
Prej tyre janë shëruar 233,915, përderisa 6039 kanë humbur betejën me këtë virus.