Zyra e Këshilltarit të Çështjeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë me kontributin e Fondacionit të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV), ka shpërndarë ndihma për familjet në nevojë në Tiranë me rastin muajit të Ramazanit.
Në aktivitetin e shpërndarjes së ndihmave organizuar në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi” në Tiranë ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk dhe zyrtarë të tjerë të ambasadës dhe përfaqësues të Shoqatës Kombëtare të Prindërve për Kujdesin e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara të Shqipërisë, shkruan Anadolu, transmeton Klan Kosova
Në fjalën përshëndetëse të mbajtur gjatë aktivitetit të shpërndarjes së ndihmave, ambasadori përcolli urimet e tij që muaji i Ramazanit të sjellë mirësi dhe mbarësi.
“Ashtu siç është bërë traditë çdo Ramazan, ne si nevojë e civilizimit tonë dhe si nevojë e fesë sonë mundohemi që të jemi gjithmonë pranë vëllezërve dhe motrave tona në gjithë botën islame. Sigurisht, ne si vëllezër, si të afërt që jemi në Turqi nuk qëndrojmë pranë vëllezërve tanë muslimanë në Shqipëri vetëm për Ramazan, por gjendemi pranë tyre edhe jashtë këtij muaji”, u shpreh ambasadori turk.
Duke iu drejtuar të pranishmeve, ambasadori Yoruk tha se “Ju kam sjellë gjithashtu përshëndetje nga presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan”.
Këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Bekir Yanilmaz, tha se përsëri në këtë Ramazan janë bashkë me njerëzit në nevojë.
“Ne menduam që ta ringjallim atë bashkëjetesë që kemi pasur për vite të tëra bashkë. I dërguari i Allahut ka thënë se ai i cili shtrihet për të fjetur gjumë i ngopur ndërkohë që fqinji i tij është i uritur nuk është prej nesh. Edhe ne kemi vendosur që të jemi këtu me ju për të sjellë këtë urdhër që na ka dhënë pejgamberi ynë. Sigurisht që kjo nuk mund të kufizohet vetëm me muajin e Ramazanit, por gjatë këtij muaj meqë ka më shumë mirësi dhe bereqet zgjodhëm që të jemi këtu në muajin e bekuar të Ramazanit”, u shpreh Yanilmaz.
Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Prindërve për Kujdesin e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara të Shqipërisë, Shefqet Taku, në fjalën e tij falënderoj institucionet turke për mbështetjen e ofruar ndaj Shqipërisë.
“Falënderoj Ambasadën turke në Tiranë, zyrën fetare, qeverinë turke, parlamentin turk, vëllezërit dhe motrat tona muslimane turke që jemi të pandarë me njëri-tjetrin. Allahu e shpërbleftë shpirtin e tyre të pastër musliman për gjithë botën që ata e kanë trajtuar muslimanizmin dhe gjithë popullin pa dallim feje dhe krahine”, tha Taku.
Duke folur për mbështetjen e ambasadorit turk për Shqipërinë dhe shqiptarët, Taku theksoi më tej se “Falënderoj ambasadorin Murat (Murat Ahmet Yörük), i cili kur ka marrë detyrën e re në Shqipëri ai në mbledhjen që u prezantua me popullin shqiptar tha se ‘dera e ambasadës është e hapur për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine edhe ideje’. Pra do të thotë se jemi një popull, jemi një familje me Turqinë”.
Ndihmat që përfshijnë pako me produkte ushqimore si miell, sheqer, oriz, vaj, makarona, kripë dhe të tjera u shpërndanë për 100 familje në nevojë dhe familje të tjera që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, kryesisht të mbështetura nga Shoqata Kombëtare e Prindërve për Kujdesin e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara të Shqipërisë.
Ndihmat me mbështetjen nga Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) do të vazhdojnë të ndahen në Shqipëri edhe për qindra familja të tjera gjatë muajit të Ramazanit.