Turqia shtrinë ndikimin në Kosovë

Prishtinë | 18 Kor 2016 | 17:12 | Nga

Turqia është vendi që ka shtrirë në Kosovë dhe në gjithë rajonin e Ballkanit ndikimin e saj të madh. Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Turqia zë vendin e parë sa i takon investimeve në Kosovë me mbi 290 milionë euro.

Bazuar në deklarimet e zyrtarëve të agjencive turke që ndihmojnë në zhvillimin e projekteve të ndryshme,Turqia ka edhe mbi 500 projekte të tjera të realizuara që prej pasluftës e deri më sot, dhe një pjesë e tyre po vazhdojnë të realizohen.

Por, shuma reale e këtyre projekteve nuk është bërë e njohur nga agjencitë. Në mesin e projekteve janë edhe një numër i xhamive të rindërtuara apo edhe të ndërtuara nga fillimi. Që prej vitit 2004 në Kosovë vepron edhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim [TIKA].

Zyrtarët në këtë agjenci i thanë Radios Evropa e Lirë se që nga periudha kur ka nis punën në Kosovë kjo organizatë ka realizuar qindra projekte të ndryshme.

Blerim Karabaxhaku nga kjo agjenci, i tha Radios Evropa e Lirë se projektet e realizuara, por edhe ato që janë duke u realizuar janë të profileve të ndryshme.

“[Investimet janë bërë] në arsim në shëndetësi, në mbrojtjen e monumenteve kulturore, në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, pra në zhvillimin e trajnimeve të ndryshme dhe institucioneve”, tha Karbaxhaku.

Agjencia Tika, thotë se ka restauruar një numër të madh të xhamive, por edhe ka bërë investime në ndërtimin e xhamive të reja në të gjithë Kosovën. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë vizitës në Kosovës në vitin 2013 ka premtuar se do të jepte fonde për restaurimin e xhamive.

Në Bashkësinë Islame të Kosovës, thonë se kanë pasur dhe kanë bashkëpunime të mira me organizatat dhe agjencitë turke të cilat e kanë ndihmuar Kosovën në disa fusha. Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se projektet e bashkëpunimit me agjencinë “Tika” kanë të bëjnë kryesisht me restaurimin e xhamive në gjithë Kosovën.

“Kemi të bëjmë me restaurimin të objekteve monumentale që janë më vlera historike arkitektonike që i përkasin trashëgimisë materiale të periudhës nga koha e perandorisë Osmane si në Prishtinë, Prizren e Pejë dhe në disa vende të tjera”, tha Sadriu.

Por, përvec xhamive, Agjencia “Tika” ka sponsorizuar edhe ndërtimin e disa shkollave në disa komuna të Kosovës. Blerim Karabaxhaku tha për Radion Evropa e Lirë se ka pasur projekte edhe për ndërtimin e një shkolle fetare.

“Është një shkollë që është ndërtuar nga ana e Tikës. Është një medrese e cila vepron në kuadër të Bashkësisë Islame si dhe disa pajisje që janë si donacion dhënë medresesë që vepron në kuadër të BIK-ut”, tha Karabazhaku.

Prania turke në Kosovën përveç në fushën e arsimit dhe të fesë, përmes projekteve, është shtrirë edhe përmes investimeve të drejtpërdrejta. Në bazë të vlerësimeve të përgjithshme, kompanitë turke kanë marrë një pjesë të tenderëve fillimisht në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës dhe më vonë edhe në Kompaninë Energjetike të Kosovës. Projekte këto shumë milionëshe.

Përfaqësuesit e Qeverisë se Kosovës thonë se shteti i Turqisë që nga pas lufta e deri më tash, Kosovën e ka ndihmuar përmes investimeve dhe projekteve konkrete. Ministri në Qeverinë e Kosovës, Mahir Yagcilar, i tha Radios Evropa e Lirë se marrëdhëniet e Kosovës me shtetin turk, viteve të fundit janë thelluar si në bashkëpunimin politik e diplomatik ashtu edhe në investime.

“Përkrahja ka reflektuar në fushën e arsimit, kulturës në fushën e ndërtimit të infrastrukturës në nivelin komunal dhe qendror dhe në ngritjen e kapaciteteve. Faktikisht pas shpallje së pavarësisë së Kosovës ka qenë edhe një përkrahja edhe me e fortë politike sidomos në fushën e njohjeve nga shtete e ndryshme”, tha Yagcilar.

Yagcilar tha se investimet me të mëdha që janë të dukshme e siç tha ai janë duke vazhduar janë ato në arsim, shëndetësi e kulturë. Siç thotë ai bashkëpunimi më i madh është në fushën e ngritjes së kapaciteteve dhe investimeve të tjera. Ministri Yagcilar thotë se agjencitë qeveritare turke të pranishme në Kosovë kanë ndihmuar jashtëzakonisht në fushën e përmirësimit të infrastukurës, pa e përcaktuar më saktësisht ku.

“Sidomos “Tika dhe “Yonus Emre”, dhe institucione të tjera kanë ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve edhe në infrastrukturë. Por, edhe marrëveshjet e ndryshme mes institucioneve të Kosovës dhe Turqisë, për ngritjen e kapaciteteve për bashkëpunim dhe për realizimin e investimeve”, tha Yagcilar.

Megjithë pohimet për ndihmën që TIKA i ka dhënë Kosovës, ka vlerësime edhe se Turqia përmes agjencive të saj që veprojnë në Kosovë po shtrinë ndikimin, siç thuhet.”islam turk”.

David Phillips, drejtor i Programit për ndërtimin e paqes në Institutin për studimin e të drejtave të njeriut, në Universitetin e Kolumbisë në Nju Jork ka thënë se Turqia, përmes Agjencisë turke për zhvillim ndërkombëtar (TIKA), si dhe përmes ambasadës së saj në Kosovë, ka krijuar pozicion të fortë dhe të dukshëm, por agjenda e saj, siç ka thënë ai, “nuk është që t’i ndihmojë kosovarët, por që ta promovojë islamin turk në Kosovë”.

Sipas tij, Kosova nuk është e vetëdijshme për një gjë të tillë. Aktualisht, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, rreth 19.000 turq banojnë në Kosovë. Në disa komuna të Kosovës ku jeton ky komunitet, gjuha turke është gjuhë zyrtare. Këtu përfshihet posaçërisht qyteti i Prizrenit.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme