Sot në Turqi mbahen zgjedhjet lokale për të përcaktuar drejtuesit lokalë në 5 vitet e ardhshme. Në zgjedhjet administratave lokale votojnë rreth 57 milionë votues në 194.390 vendvotime.
Në përputhje me vendimin e Këshillit të Lartë Zgjedhor (YSK), në votime do të marrin pjesë 12 parti politike. Ndërsa votuesit do të mund të votojnë vetëm në qendrat e votimit ku janë të regjistruar përveç rasteve përjashtuese.
Votuesit në qytetet Adana, Ankara, Antalya, Aydın, Balıkesir, Bursa, Denizli, Diyarbakır, Erzurum, Eskişehir, Gaziantep, Hatay, İstanbul, İzmir, Kahramanmaraş, Kayseri, Kocaeli, Konya, Malatya, Manisa, Mardin, Mersin, Muğla, Ordu, Sakarya, Samsun, Şanlıurfa, Tekirdağ, Trabzon dhe Van do të votojnë për zgjedhjen e “kryetarëve të bashkive metropolitane”, “kryetarin e bashkisë”, “anëtar të këshillit bashkiak” dhe “kryepleq dhe Këshillin e kryepleqve”.
Gjithashtu sipas vendimeve të YSK në disa qytete dhe qendrat e vuajtjes së dënimit votimet do të zhvillohen mes 07:00-16:00 dhe në disa të tjerë 08:00-17:00 me orën lokale. Edhe në këto zgjedhje janë formuar kuti votimi mobile të cilët janë përgatitur për personat e sëmurë ose për shkak të pengesave fizike, përcjell bw.
Numërimi i votave për qytetet që votojnë nga ora 07:00-16:00 nuk do të nisë përpara orës 16:00 dhe për qytetet e tjera jo para orës 17:00. Gjatë votimeve, gratë shtazëna, të sëmurët, personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit do të mund të votojnë pa pritur në radhë. Ndërsa do të jetë i ndaluar përdorimi i celularëve në vendvotime, aparatëve fotografikë dhe pajisjeve të tjera që regjistrojnë.
Ditën e zgjedhjeve, sot nga ora 06:00 deri në orën 24:00, pa marrë parasysh rastet do të jetë e ndaluar shitja e pijeve alkoolike si dhe dhënia dhe pirja e ndonjë lloj pijeje alkoolike në hapësira publike dhe vendet ku përdoret pirja e pijeve alkoolike.
Gjatë procesit të votimit në hapësirat publike argëtuese si kafeteri, lokale dhe internet kafetë do të jenë të mbyllura ndërsa në restorantet në cilësinë e vendeve argëtuese do të mund të ofrohet vetëm shërbimi i ushqimit. Dasmat po ashtu në zbatueshmëri me rregullat dhe ndalesat e përcaktuara mund të zhvillohen pas orës 18:00. Radiot dhe të gjitha llojet e mediave ditën e zgjedhjeve nuk do të japin lajme, parashikime dhe komente në lidhje me zgjedhjet deri në orën 18:00. Në ditën e votimeve radiot dhe të gjitha llojet e mediave mund t’i publikojnë lajmet dhe njoftimet e YSK-së në lidhje me zgjedhjet rreth orës 18:00-21:00. Të gjitha publikimet do të jenë të lira pas orës 21:00, por nëse do të konsiderohet e nevojshme nga YSK, do të jetë e mundur të vendoset për lirimin e transmetimeve para orës 21:00.