Turqia vazhdon të mbajë peng anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Prishtinë | 04 Nën 2022 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se Finlanda dhe Suedia nuk i kanë përmbushur të gjitha kushtet e marrëveshjes trepalëshe të arritur për t’i lejuar dy vendet të hynin në NATO, pavarësisht disa përparimeve.

“Të dy vendet po shprehen se janë të përkushtuar ndaj memorandumit, por ajo që ka rëndësi është ekzekutimi”, tha Cavusoglu në një konferencë për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Stamboll.

Finlanda dhe Suedia aplikuan për t’u bashkuar me NATO-n në maj, në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës, por është përballur me kundërshtimin e Ankarasë, e cila akuzoi vendet për “mbështetjen e terrorizmit”, duke strehuar militantët kurdë të kërkuar nga shteti turk.

Të tre vendet arritën një marrëveshje në qershor, në të cilën shtetet nordike u zotuan të adresojnë me shpejtësi kërkesat e Turqisë për dëbim ose ekstradim të të dyshuarve për terrorizëm dhe të heqin një embargo të supozuar të armëve ndaj Ankarasë.

Cavusoglu tha se vendet kishin bërë hapa pozitivë, të tillë si rregullat e eksportit, raporton DW.

Stoltenberg, i cili u takua me liderët nga Suedia dhe Finlanda ditët e fundit, tha se vendet po bënin çmos për të zbatuar memorandumin e përbashkët.

“Suedia dhe Finlanda kanë bërë punën e tyre. Është koha për të mirëpritur Finlandën dhe Suedinë si anëtarë të plotë të NATO-s”, tha Stoltenberg.

Marrëveshja u përshëndet si një përparim kur u nënshkrua në samitin e NATO-s në Madrid. Por menjëherë pas kësaj, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kërcënoi se do të ngrinte procesin e aplikimit për shkak të pretendimeve për zvarritje të ekstradimeve.

Muaj më vonë, vetëm Turqia dhe Hungaria nuk i kanë ratifikuar ende pranimet, megjithëse Budapesti pritet ta bëjë këtë së shpejti.

Të dyja ofertat e NATO-s janë të lidhura së bashku, kështu që Helsinki duhet të presë Stokholmin.

Stoltenberg gjithashtu do të takohet me Erdoganin sot, në Stamboll.

Të ngjashme