Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se Ankaraja ende po zhvillon negociata me Moskën për transferin e teknologjisë, në kuadër të blerjes kundërthënëse të sistemit mbrojtës raketor rus, S-400.
Cavusoglu tha se blerja e këtij sistemi ishte e domosdoshme dhe se Turqisë i “duhej urgjentisht”.
Nga ana tjetër, kjo blerje ka shkaktuar shqetësim të madh në mesin e aleatëve të Turqisë në NATO, kur Ankaraja këtë blerje e ka shpallur zyrtarisht më 27 dhjetor.
Por, Cavusoglu i tha dje agjencisë DPA se “ne dëshiruam që këtë ta blejmë prej aleatëve tanë në NATO, por kjo nuk funksionoi” dhe ka shtuar se “Rusia ma dha marrëveshjen më të mirë dhe kjo është arsyeja përse unë bleva nga Rusia”.
Marrëveshja prej 2.5 miliardë dollarësh ende është në lëvizje, pasi çështja për transfer të teknologjisë, ende nuk ka përfunduar, ka thënë Cavusoglu.
Sipas tij, furnizimi i parë i sistemit raketor nga Rusia do të bëhet në vitin 2020.