Mediat në Serbi, në llogaritë e të cilave Twitter u ka vendosur etiketën se bashkëpunojnë me qeverinë, janë duke reaguar në mënyra të ndryshme ndaj këtij shenjëzimi, ndërkaq që disa prej tyre kanë paralajmëruar ankesa dhe ndaj kësaj kompanie.
Kompania Twitter, më 17 gusht, i ka shenjëzuar mediat e caktuara që bashkëpunojnë me Qeverinë e Serbisë. Etiketa qëndron në llogaritë zyrtare të atyre mediave.
Në mesin e këtyre mediave është edhe gazeta ditore Politika. Ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit përgjegjës të kësaj gazete, Marko Albunoviq, në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thotë se lidhur me këtë çështje do ta kontaktojë kompaninë Twitter.
“Twitter është kompani private dhe mund të etiketojë dhe madje të mbyllë llogaritë e përdoruesve sipas gjykimit të saj. Gjithashtu e përditshmja Politika mund të mbyllë llogarinë e saj në Twitter në çdo kohë. Tash për tash ne nuk do ta bëjmë këtë, por do të përpiqemi që të kontaktojmë me njerëzit në Twitter dhe të kuptojmë se cili është shkaku për një vendim të tillë”, theksoi Albunoviq.
Ai shtoi që Politika “nuk turpërohet për bashkëpunimin me Qeverinë e Serbisë”.
Çfarë ka bërë saktësisht Twitter?
Siç thuhet në shpjegimin e kompanisë Twitter, në pjesën që lidhet me rregullat e përdorimit të këtij rrjeti social, shënjimi i llogarive që janë të lidhura me shtetin “mundëson kontekstin shtesë në lidhje llogaritë e kontrolluara nga zyrtarë të caktuar të qeverive, shtëpive mediatike të lidhura me shtetin dhe individët që bashkëpunojnë ngushtë me ato entitete”.
Mediat e lidhura me shtetin janë të definuara si “media, në të cilat shteti ushtron kontrollin mbi përmbajtjen redaktuese përmes mjeteve financiare, presioneve të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta politike dhe/ose kontrollin mbi prodhimin dhe shpërndarjen (e përmbajtjes)”.
Etiketimi i mediave të lidhura me shtetin, në praktikë, ka për pasojë që Twitter, siç thuhet, nuk do t’ua rekomandojë llogaritë e tyre njerëzve dhe as nuk do të “rrisë” shtrirjen e postimeve të tyre.
Në gushtin e vitit të kaluar, Twitter ka paralajmëruar se do të fillojë t’u vë etiketa llogarive që janë të lidhura me qeveritë.