Twitter kufizohet brenda Rusisë, i ndalet shpejtësia

Prishtinë | 10 Mar 2021 | 13:52 | Nga Ekonomia Online

Rregullatori rus i medieve Roskomnadzor vendosi kufizime ndaj Twitterit, duke ia ngadalësuar shpejtësinë, për shkak të, siç tha “dështimit” të tij për të hequr përmbajtjen e ndaluar.

Roskomnadzor tha se masa ka për qëllim “t’i mbrojë qytetarët rusë nga ndikimi i përmbajtjes së paligjshme”.

Ai kërcënoi se do ta bllokojë plotësisht rrjetin social amerikan, nëse nuk vepron.

Sipas rregullatorit, Twitter ka 3,168 publikime me përmbajtje të ndaluar në faqen e tij.

Zëvendësshefi i Roskomnadzorit, Vadim Subbotin konfirmoi për agjencinë e lajmeve Interfax se agjencia e tij ka “kapacitete teknike” për ta ngadalësuar Twitterin brenda Rusisë dhe se kjo tashmë ka nisur të bëhet.

Moska ka bërë përpjekje t’i frenojë platformat e medieve sociale në vitet e fundit, për shkak të protestave në rritje të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve rusë.

Më 1 shkurt, në Rusi ka hyrë në fuqi një ligj që thotë se rrjetet sociale duhet ta fshijnë përmbajtjen e ndaluar me ligjet ruse.

Nëse një rrjet social nuk është në gjendje të përcaktojë nëse përmbajtja ka materiale të ndaluara, ai duhet ta dërgojë atë për vlerësim në Roskomnadzor. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme