Legjenda e boksit Mike Tyson ka zbuluar se është ende në kontakt me shokët e tij të vjetër, që vuajnë burg të përjetshëm. Tyson ishte raportuar se ka kryer me mijëra krime në fëmijëri.
Ai ka treguar se disa nga shokët e tij të vjetër janë në burg të përjetshëm për shkak të vrasjeve. Ai ka treguar se ka krijuar miqësi me ta kur kishte kaluar shumicën e fëmijërisë në qendrat e paraburgimit në New York.
Ish-kampioni i botës në peshën e rëndë në boks, ishte arrestuar 38 herë para se të mbushte 13 vjet duke kaluar një kohë të rinisë në qendra të paraburgimit, para se ta takonte Cus D’Amato në një Qendër Korrektuese për të Mitur në Bronx.
Ishte D’Amato që e futi Tysonin në boks.
“Në qendër korrektuese fillova me boks. Dhe thashë se nuk do të shkoja më në rrugë të gabuar. Por, unë prapë takoja shokët e mi me të cilët kisha plaçkitur. Ende po rrija me ta, e po i shikoja duke bërë marrëzira. Ne shkuam në drejtime të ndryshme. Ata u bënë vrasës dhe unë u bëra boksier. Jam i lumtur që nuk gjendem në burg me ta, por prapë shkoj t’i vizitoj ata. Ata kanë katër apo pesë dënime me vdekje, 90 vjet. Ata janë shokët e mi të vjetër”, ka thënë Tyson për podcastin “Hotboxin”.
Tyson ishte dënuar me gjashtë vjet burg në vitin 1991 për përdhunim të misit Desiree Washington. Ai vuajti tri vjet burg, gjatë të cilës kohë ishte vizituar nga ylli i muzikës rep Tupac.
Një jetë me krime si fëmijë mbaroi kur Tyson iu kthye boksit, duke u bërë kampioni më i ri i botës në peshën e rëndë në boks. Ai e mposhti si 20-vjeçar në vitin 1986, Trevor Berbickun.
Mirëpo, karriera e tij mori goditje me skandalet e tij jashtë ringut. Ai ishte burgosur edhe në vitin 1999 për sulm ndaj dy të moshuarve.
Tyson shpalli falimentimin në vitin 2003 pasi shpenzoi pasurinë e tij mbi 350 milionë euro. Por, ai është kthyer duke e hapur një fermë të suksesshme të kanabisit në vitin 2016.
Tysoni është tërhequr nga boksi në vitin 2005, mirëpo po planifikon të rikthehet në ring si 53-vjeçar. Është duke u raportuar për një meç të tretë me Evander Holyfieldin.