Në Bibliotekën Universitare të Kosovës u mbajt dita informuese për programin Erasmus +.
Elheme Selmani Rexhepi, u.d. koordinatore në zyrën Erasmus+ në Kosovë bëri të ditur se ky program ofron mbështetje financiarë për studentë dhe staf akademik të UP-së, raporton Ekonomia Online.
“Erasmus + ofron mbështetje financiare për studentët dhe stafin akademik të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë. Qëllimi kryesor i programit Erasmus+ është modernizimi ndërkombëtar, ndërkombëtarizimi i sistemit arsimor në të gjitha vendet anëtare të Unionit Evropian, por edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe Kosovën”.
Fehmi Hysenaj, këshilltar i lartë i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha se rreth 700 studentë dhe staf akademik shfrytëzojnë skemat programore të Erasmus+ për të studiuar në institucione partnere të arsimit të lartë, raporton EO.
“Pjesëmarrja ne Erasmus+ i jep komunitetit tonë qasje në rrjetet e studimit dhe trajnimit jashtë vendit, në projekte hulumtuese e studimore dhe mundësi të shumta për zhvillim personal dhe studim në fusha të ndryshme akademike e kulturore”.
“Studentët tanë kanë treguar suksese të mëdha në programe të shkëmbimit nga skemat e Erasmus +. Diku afërsisht 700 studentë dhe staf akademik në vit në nivel vendi përdorin këto skema duke studiuar në institucione partnere të arsimit të lartë. Tregu kosovar i punës ka nevojë të theksuar për këto eksperienca të veçanta”.
Hysenaj ftoi stafin akademik t’i shfrytëzojë mundësitë që ofron ky program.
“Ne i ftojmë të gjitha institucionet e arsimit të lartë që të shfrytëzojnë mundësitë që ofron programi Erasmus+ që me kapacitetet e tyre t’u qasen fondeve që ofron kjo skemë”.
Stergios Tragoudas, menaxher i Programit te Edukimit në Zyrën e Bashkimit Evropian tha se që nga viti 2008 janë investuar më shumë se 64 milionë euro në arsim.
“Për ne është një moment i rëndësishëm që po mbahet kjo ditë informative për arsye se, ndoshta jeni në dijeni se zyra e BE-së ka njoftuar se arsimi është njëri prej prioriteteve të strategjisë”.
“Prej vitit 2008 kemi investuar më shume se 64 milionë euro në arsim dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën gjë, mirëpo që të vazhdojmë me këtë duhet të kemi një përfitues që është i gatshëm për të absorbuar dhe shfrytëzuar si duhet fondet që zyra e BE-së jep në këtë sektor”.
“Kosova ka një popullsi të re në numër aq të madh dhe arsimi mund të jetë sektori që mund të çojë te rritja më e mirë ekonomike dhe te një e ardhme më e mirë për të rinjtë dhe familjet e tyre në Kosovë”.
“Erasmus+ zgjedh njerëz profesionistë në baza meritore. Shpresojmë se me këtë program do të arrijmë rezultate sa më të mira”.
Programi Erasmus+ është themeluar në vitin 2014. Ai përfshin shtatë programe të BE-së në fushat e Arsimit, Trajnimit, Rinisë, përfshirë edhe Sportin.
Deri në vitin 2020, ky program do të ofrojë mundësi studimi e trajnimi, mundësi për të ofruar shërbime e punë vullnetare në vende evropiane për mbi 4 milionë njerëz në mbarë botën.