Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, ka thënë në një prononcim për Ekonomia Online, se varianti Delta është mjaft i rrezikshëm dhe ka mundësi që të përhapet në masë të madhe.
Vishaj shtoi se është e mundur edhe paraqitja e valëve të tjera të virusit në vjeshtë, duke shtuar se vaksinimi është e vetmja mënyrë për tu mbrojtur.
“Padyshim që varianti Delta është i rrezikshëm sepse ka mundësi të madhe që të përhapet në masë, mirëpo vaksinimi i popullatës është e rëndësishme që një gjë e tillë të mos ndodh. Besoj se me vaksinimin masiv valët që pritet të vijnë do të jenë të një intensiteti më të pranueshëm dhe më lehtë të menaxhueshme. Është e mundur paraqitja e valëve në vjeshtë, mirëpo nëse popullata vaksinohet këto valë që pritet të vijnë nuk do të jenë të një intensiteti çfarë ishin më parë”.
Doktori Vishaj theksoi se nëse rritet numri i pacientëve të infektuar dhe nuk i binden vaksinimit opsioni i vetëm është mbyllja e vendit.
“Nëse kemi një numër të madh të pacientëve të infektuar dhe njerëzve që nuk i binden vaksinimit mbyllja e vendit duhet të jetë si opsion. Vaksinimi është mjeti i duhur dhe e vetmja mënyrë që neve na mbron nga ardhja e valëve tjera të ashpra të cilat përshkruhen me numër të madh të pacientëve të sëmurë dhe me humbje të jetëve”.
Sipas tij, efektet anësore janë aq shumë minimale në raport me të mirat që sjellin vaksinat.
“Efektet anësore janë aq shumë minimale në raport me të mirën që e sjellin vaksinat. Është e vërtetë se një numër i pacientëve dita ditës po shkon duke u zvogëluar të cilët kanë pasur hezitime të veta të vaksinimit. Kjo ka ndodhur edhe në vende të tjera por me vetëdijesim të popullatës një gjë e tillë do të arrihet që popullata të vaksinohet sa më shumë që të jetë e mundur”.
Ai tha se vaksinat janë jashtëzakonisht të sigurta sepse njerëzit që vaksinohen në të ardhmen mund të infektohen, por nuk zhvillojnë formën e rëndë klinike, raporton EO.
“Unë po besoj që ka mirëkuptim sepse popullata e vendit tonë në situatat më të rënda gjithmonë ka bërë zgjidhjet më të mira të mundshme. Edhe në këtë rast qytetarët do ta bëjnë zgjidhjen e duhur për tu vaksinuar sepse në këtë mënyrë mbrojmë veten dhe familjen”.
“Vaksinat janë jashtëzakonisht të sigurta sepse njerëzit që vaksinohen në të ardhmen mund të infektohen, por nuk zhvillojnë formën e rëndë klinike. Për momentin kemi medikamente të mjaftueshme në trajtimin e pacientëve tanë. Nëse na vije një fluks shumë i madh vështirësitë mund të na paraqiten dhe në mënyrë që të mos na paraqiten një fluks i tillë i njerëzve neve na duhet ndihma e qytetarëve që të vaksinohen”.