Në Rudinicë në Kizhevak të Serbisë është gërmuar me dyshimin se gjenden mbetje mortore të kosovarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Por po del që në këto vende është gërmuar gabimisht.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, në një intervistë për Ekonomia Online ka folur për gërmimet që janë zhvilluar gabimisht në këto dy vende.
Sipas tij, nga informata që kanë marrë nga dëshmitarët, është vërejtur se punimet janë kryer në vend të gabuar.
“Dje ka qenë edhe një vend i kontrollimit të regjionin e Rudinicë në Kizhevak sepse kanë ardhur disa informata të reja për të cilat dyshohet për një lokacion në të cilin kemi punuar në një vend të gabuar bazuar në dëshmitarët e Serbisë”.
“E njëjta mund të hyjë në plan program në pranverë ku mund të jenë kushtet pasi tani toka është e ngrirë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, për gërmimet që po ndodhin 21 vjet pas luftës, Gërxhaliu, ka thënë se është e vështirë, pasi që po bëhet plakja e informatave, të cilët nuk i dërgojnë direkt në vendin e ngjarjes.
“Nuk mund ta them me besueshmëri të lartë, ne duhet ta kontrollojmë atë terren edhe pse kohëve të fundit, kontrollimi i terreneve del më shumë negativë”.
“Nuk është koha e pasluftës deri në vitin 2006 ku nga një përqindje e madhe e hapjes së terreneve, shembull hapen 100 pika në një vit 87 rezulton në gjetje pozitive”.
“Tani veç është e kundërta, thjesht ka ardhje të plakje të informatave e gjëra të cilat nuk na dërgojnë direkt në vendin e ndodhisë së trupit”, tha ai raporton EO.
Në oborrin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” afër Fakultetit të Arteve ka pasur gërmime pasi dyshohej për një varrezë me trupa të personave nga lufta e fundit, por nuk është gjetur asnjë mbetje mortore.
Gërmimet patën filluar me kërkesë të Prokurorisë, Departamentit për Krime Lufte, kjo pasi një dëshmitar ka deklaruar se aty ka parë deri sa janë varrosur trupa të pajetë gjatë luftë së fundit.