Ishte raportuar e zhdukur nga familja e saj para gjashtë muajve. E mitura Yllka Derri nga Gjakova dyshohej se ishte larguar nga shtëpia e saj bashkë me të dashurin e saj, po ashtu të mitur, Besart Radosta.
Gjashtë muaj familjarët e kishin kërkuar, nën dyshimin se familjarët e Besartit e kishin ndihmuar çiftin të arratisen jashtë Kosovës. Policia e Kosovës ka arritur t’i gjejë të miturit në shtëpinë e të dyshuarit, pas një bastisje mëngjesin e së mërkurës.
Gjashtë muaj më parë ishte raportuar e zhdukur. Yllka Derri u gjet në shtëpinë e Besart Radostës, djalit me të cilin dyshohej se ishte larguar nga shtëpia, mëngjesin e së mërkurës, pas një bastisjeje në shtëpinë e të dyshuarit.
Mësohet se Yllka Derri nuk është kthyer në shtëpinë e saj, por po qëndron në shtëpinë e Besart Radostës.
Krejt kjo pasi e mitura nga Gjakova është shtatzënë.
Express mëson se gjatë gjithë kësaj kohe, e mitura kishte qëndruar me dëshirën e saj me Besartin dhe nuk ka pasur indikacione se mund të jetë detyruar nga dikush.
Madje, ajo pretendon se familja e saj ka qenë në dijeni për lidhjen që kishte me të miturin, por sipas saj prindërit nuk janë pajtuar për shkak të përkatësisë etnike dhe jo për shkak të moshës.
Përgjatë gjashtë muajve, çifti ka qëndruar nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, tek të afërmit e Besartit, por kryesisht në Mitrovicë.
Si ndodhi e tërë ngjarja prej kur Yllka Derri u raportua e zhdukur
Të enjten e 16 shtatorit, Yllka Derri, ishte nisur nga shtëpia për në shkollë. Por, me të dalë nga shtëpia, destinacioni i saj kishte ndërruar. Ajo kishte shkuar te i dashuri i saj 17-vjeçar, Besart Radosta.
Nëna e Yllkës, Teuta Derri, javën që lamë pas ka treguar për Express se katër ditë pas largimit nga shtëpia, Yllka kishte arritur të kontaktojë me nënën e vet përmes telefonit, të cilës i kishte thënë se do të niset për në Greqi e më pas në Itali.
“Ka thirrë në telefon dhe ka thënë që po niset për Greqi e pastaj për Itali. I kam thënë qysh mundet me shku atje kur nuk ka dokumente, më ka thënë se do të dalin në të zezën. Më pas kemi dëgju se e kanë qitë në Mal të Zi me dokumente të vajzës së tyre. Unë dyshoj se e kanë përmend Greqinë vetëm më na ngjallë dyshime e mos me e zbulu ku janë”, ka treguar nëna e së miturës.
Pas kësaj telefonate, Yllka e kishte dërguar një mesazh me zë në të cilin këtkonte nga i ati që ta telefononte.
“Thuj babit kur t’munet le t’më thirrë se unë kom me u nisë e ku me e ditë kur muna me folë. Thuj babit le t’më thirrë se Besarti është jashtë, unë e kom marrë telefonin tinëz tij, se me bo me ardhë ai nuk m’len me folë. Kështu që thuaji babit le t’më thirrë se unë nisna mo nuk muj me folë”, kishte thënë Yllka në mesazhin e dërguar familjes së saj.
Pas gjashtë muajsh kërkim pa asnjë rezultat, babai i Yllkës kishte deklaruar se nuk dinte më nëse vajza e tij ishte gjallë apo jo.
“Gjashtë muaj nuk ia kemi dëgju zanin çikës, nuk e dimë më as a është gjallë. Vetëm një herë ka arritur të kontaktojë me ne, ka kërku ndihmë, por në momentin kur ajo e ka dërgu një mesazh me zë, unë nuk e kam dëgju. Çika i ka 15 vjet, është e mitur, fëmijë është, e kanë mashtru. Ne kemi jetu në Suedi 5 vjet, çika nuk e ka ditë as shqipen mirë”, ka thënë ai.
E lidhur me rastin, ndaj babait të Besartit, Blerim Radosta, ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak, nën dyshimin se kishte ndihmuar të birin për ta marrë të miturën në shtëpi.
Ndërkaq, Drejtoria e Policisë së Gjakovës, të hënën e kësaj jave ka kërkuar ndihmën e qytetarëve në gjetjen e Yllkës, në cilësinë e viktimës, dhe Besartit në cilësinë e të dyshuarit.
Mëngjesin e së mërkurës, policia ka bastisur shtëpinë e Besart Radostës, ku edhe e ka gjetur atë bashkë me Yllkën.
Dy të miturit janë shoqëruar në stacionin policor dhe janë intervistuar në prani të prindërve.
Përmes një komunikate për media, policia e Gjakovës ka njoftuar se me urdhër të Gjykatës është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit Besart Radosta.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, respektivisht Sektori Rajonal për Hetime me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjakovë sot me datë 18.12.2019 në ora 06:30 ka realizuar një operacion kontrolli në shtëpinë e personit të dyshuar Besart (Blerim) Radosta, i dyshuar për vepër penale ,, bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjeçare’. Gjatë operacionit policor është arrestuar personi i dyshuar e po ashtu është gjetur edhe personi i mitur Yllka (Naim) Derri e cila ishte raportuar si person i zhdukur nga familjarët e saj që nga data 15.06.2019”, thekson komunikata.