“U larguat si mercenar, nuk mund të ktheheni si hero”, tifozët ultras të Parmas sulmojnë Buffonin pas rikthimit

Prishtinë | 18 Qer 2021 | 16:25 | Nga Ekonomia Online

Grupi kryesor i tifozëve ultras të Parmës, ‘Boys’ zbuluan një baner kundër kthimit të Gianluigi Buffon në klub.

43-vjeçari është kthyer në Stadio Tardini, ku do të luajë në Serie B sezonin e ardhshëm me Parman, plot 20 vjet pas largimit.

Buffon bëri debutimin e tij në Serie A në Parma në vitin 1995 dhe u largua nga klubi në vitin 2001 për t’u bashkuar me Juventusin në një lëvizje prej 50 milionë eurosh.

Parma njoftoi kthimin e Buffon dje (e enjte), por fituesi i Kupës së Botës me Italinë më 2006 u kritikua nga grupi kryesor ultras i klubit ‘Boys’.

Ata zbuluan një baner përpara stadiumit Stadio Tardini, ku sulmohej Buffon.

“Ju u larguat si mercenar, nuk mund të ktheheni si hero. Ndero fanellën”, shkruhej në banerin e vendosur.

Një fotografi e banerit u shpërnda në faqen zyrtare të ‘Boys’ në Facebook duke marrë qindra komente, shumica e tyre që mbështesnin kthimin e Buffon.

“Njëzet vjet më parë na premtove se nuk do të vishje kurrë atë fanellë. Tri javë pas Australisë ju nënshkruat me ta”.

“Tani ju ktheheni në klubin e vetëm që ju lejoi të fitoni në Evropë. Pas gjithë kësaj, ne vetëm mund t’ju themi se ju jeni një burracak. Nderoni fanellën dhe Forza Parma”, shkruan në postimin e tifozëve të Parmas.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme