U lëndua ndaj Burnleyt, trajneri i Southampton tregon se sa do të mungojë Armando Broja

Prishtinë | 24 Tet 2021 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Armando Broja është duke kaluar nëpër një formë të shkëlqyer në Ligën Premier me Southamptonin.

Sulmuesi shqiptar ka shënuar përsëri gol, ku kësaj radhe Southampton luajti baras 2-2 me Burnleyn.

Megjithatë talenti shqiptar u zëvendësua 11 minuta para fundit të ndeshjes, pasi pësoi një lëndim në këtë sfidë.

Trajneri i Southampton, Ralph Hasenhuettl ka folur për lëndimin e Brojës, duke thënë se nuk është shumë i rëndë.

Austriaku deklaroi se Broja nuk do të luaj në mesjavë në sfidën e EFL Cup ndaj Chelseat, pasi nuk i lejohet, derisa pritet të jetë i gatshëm për përballjen me Watfordin në vikend.

“Ka një dëmtim të lehtë në kyç, por nuk duket ndonjë gjë shqetësuese. Në ndeshjen e të martës ndaj Chelseat ai do të bëjë pushim të detyruar, pasi në marrëveshjen e huazimit është parashikuar që të mos luajë kundër tyre”.

“Kështu që deri në fundjavë do të mund të rikuperohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh Hasenhuettl.

20-vjeçari u huazuar nga Chelsea te Southampton, derisa ka zhvilluar tetë ndeshje deri më tani mes kampionatit e Kupës, duke realizuar katër gola.

Në Ligën Premier, Broja shënoi ndaj Leeds United dhe Burnleyt, derisa në EFL Cup realizoi dy gola ndaj Newport. /Telegrafi

Të ngjashme