Kuvendi i Republikës së Kosovës ka hapur sot punimet e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), në të cilat morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Sllovenia, Turqia dhe Kosova, si dhe përfaqësuesi i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Punimet e konferencës ndërkombëtare me temën “Të jesh në hap me Evropën”, të cilat u zhvilluan online, i hapi kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, njëherësh Kryesuese e delegacionit të Kuvendit të Republikës se Kosovës në AP të SEECP-së.
Në fjalën hyrëse të saj, kryeparlamentarja Osmani tha se qëllimi i Kosovës është integrimi në BE.
“Kjo konferencë shumë specifike sot do të trajtojë tri çështje të ndryshme dhe të gjitha ato kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e përditshme të qytetarëve tanë në rajon. Integrimi në BE është ndër qëllimet kryesore të politikës së jashtme të shumicës, nëse jo të të gjitha vendeve të rajonit”, tha Osmani.
Kryeparlamentarja Osmani foli edhe për mjedisin dhe problemin me ndotje, ndërsa theksoi po ashtu se sfidë për Kosovën mbetet edhe sigurimi i kushteve për të rinjtë, të cilët regjistrohen dhe mbarojnë studimet e tyre në universitetet më të mira në të gjithë botën dhe kthehen në vendlindje.
Kryetarja Osmani riafirmoi angazhimin e Kosovës në forcimin e bashkëpunimit rajonal, për t’u bërë një partner të besueshëm në rajon që garanton stabilitetin, paqen dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
“Në fakt, Kosova tashmë e ka provuar këtë në faza të ndryshme të historisë. Unë do ta konfirmoj këtë përkushtim në seancën plenare të së mërkurës me kryetarët e parlamenteve nga anëtarët e SEECP dhe partnerët e tjerë. Shpresoj që shtetet anëtare të BE-së do ta dëgjojnë thirrjen tonë të zëshme për trajtimin e ndershëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe të na japin liberalizimin e vizave, pasi të jenë përmbushur të gjitha kriteret”, tha Osmani.
Kryetarja e Komisionit të përhershëm të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, Fitore Pacolli, e cila moderoi punimet e kësaj konference, tha se nevojitet një bashkëpunim më i madh ndërmjet vendeve të rajonit, në mënyrë që të vazhdohet drejt një të ardhmeje të qëndrueshme.
Duke u ndalur te pasojat e pandemisë së Covid 19, Pacolli tha se kjo krizë ka rikujtuar se njerëzit duhet të lidhen mes vete dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin.
Ndërkaq, duke folur rreth procesit të integrimit evropian, ajo tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ngelur prapa sa i përket plotësimit të kushteve për anëtarësim në BE-së, siç janë luftimi i krimit dhe korrupsionit, si dhe çështje të tjera.
“BE-ja ka folur për vite të tëra për sundimin e ligjit dhe demokracinë në Ballkanin Perëndimor, por kohët e fundit ka mbyllur sytë në disa zhvillime jo demokratike në këto shtete”, thekso iPacolli.
Megjithatë, ajo e konsideroi lajm të mirë faktin se Bashkimi Evropian ende mbetet vizion për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë fjalës së saj, deputetja Pacolli shprehu shqetësimin e saj lidhur me mundësinë që Covid 19 u ka dhënë, siç tha ajo, disa liderëve autoritarë në rajon, që të konsolidojnë më tej fuqinë e tyre.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se marrëdhëniet e mira ndërmjet fqinjëve do të jenë vendimtare në rimëkëmbjen ekonomike.
Ndërsa një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, sipas saj, është e rëndësishme, në mënyrë që Serbia dhe Kosova të ecin drejt BE-së. Ajo theksoi nevojën që sa më shpejt të bëhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Qasje e re ndaj procesit të anëtarësimit: a do të ndryshojë dinamika?, ishte tema e parë e konferencës.
Duke folur në cilësi të panelistes, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, është shfaqur optimiste se me marrjen e presidencës së BE-së nga ana e Gjermanisë, do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.
“Është për të ardhur keq ajo çka çfarë ka ndodhur me liberalizimin e vizave. Kam lobuar vet për këtë çështje, ndihem e turpëruar. Në disa prej kryeqyteteve ka shumë hezitim: thonë se janë përmbushur kriteret, por ka më shumë çështje të reputacionit, krimit të organizuar në Kosovë. Njëfarë formë nuk ka informacion të plotë për situatën. Nuk është çështje teknike, nuk ka një arsye të qartë pse ende mos të largohen vizat. Shpresoj që në presidencën e Gjermanisë t’u jepet drita e gjelbër kosovarëve për liberalizim të vizave”, tha Viola von Cramon.
Në pjesën e dytë të punimeve, udhëhequr nga Fitore Pacolli, kryetare e Komisionit të Përhershëm dhe Jeton Mehmeti nga Instituti GAP, u diskutuan dy tema: “Shndërrimi i humbjes në fitore” dhe “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane, pas COVID 19, çfarë ka në të për Evropën Juglindore?”
Pjesëmarrësit, që përfaqësonin shtete të ndryshme të Evropës Juglindore, kanë diskutuar për këto tema, duke dhënë edhe rekomandime në lidhje me çështjet që preokupojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Në këto diskutime u dhanë disa konkludime të përgjithshme, të cilat do të ndihmonin shtetet e Ballkanit Perëndimor ta luftojnë migrimin.
Në takim gjithashtu u tha se migrimi nuk është sfidë vetëm për vendet e Ballkanit, por është problem në nivel global. Arsye kryesore të migrimit, sipas pjesëmarrësve, janë kushtet minimale jetësore, edukimi në nivel të ulët, si dhe qasja e vështirë në shëndetësi.
Punimet e Asamblesë Parlamentare të SEECP-së vazhdojnë edhe nesër (20 qershor) dhe të mërkurën e ardhshme (24 qershor).
Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) ka filluar në vitin 1996 në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të SEECP-së, i cili ishte mbajtur në Sofje të Bullgarisë. Ky forum rajonal i bashkëpunimit synon forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në mes të gjithë pjesëmarrësve nga Evropa Juglindore (EJL), dhe shndërrimin e këtij rajoni në një zonë paqeje, sigurie, stabiliteti dhe bashkëpunimi, me qëllimin kryesor të integrimit të plotë të EJL-së në strukturat evropiane dhe euro-atlantike.